Lidhje

Kryeministri britanik Johnson përgatit terrenin për zgjedhje të reja


Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson përsëriti premtimin e tij për të dalë nga Bashkimi Evropian më 31 tetor me çdo kusht, duke i rritur shanset që Britania të largohet pa marrëveshje, ndërsa Bashkimi Evropian ka refuzuar të rihapë negociatat. Zoti Johnson tha se Marrëveshja e Tërheqjes e negociuar nga paraardhësja e saj, ishte e papranueshme dhe duhet të rihapej, një lëvizje që u refuzua nga Brukseli. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell nga Londra, analistët thonë se po bëhet gjithnjë e më e qartë se do të ketë zgjedhje të përgjithshme, duke pasur parasysh se parlamenti është i bllokuar dhe publiku thellësisht i ndarë.

Fytyra të reja dhe një qendrim i ri. Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson bëri ndryshime radikale të qeverisë së tij këtë javë, duke spastruar kabinetin nga rivalët dhe u dhënë poste besnikëve të tij dhe poltikanëve pro-Brexit.

Në fjalimin e tij të parë në parlament, zoti Johnson premtoi mbi të gjitha se do të dilte nga BE-ja më 31 tetor.

“Përndryshe do të ishte një humbje katastrofike besimi në sistemin tonë politik”, tha kryeministri Boris Johnson.

Ai tha se Marrëveshja e Tërheqjes duhej të rinegociohej, përfshirë heqjen e një mase Irlandeze mbrojtëse, që do ta mbante Britaninë të lidhur ngushtë me BE-në, nëse një marrëveshje tregëtare nuk e shmang nevojën për një kufi më të fortë.

Zoti Johnson premtoi se një “epokë e artë” e priste Britaninë pas Brexit-it.

“Ne do të hyjmë në këto negociata me energjinë dhe vendosmërinë më të madhe dhe në frymën e miqësisë. Dhe shpresoj që Bashkimi Evropian të jetë po ashtu i gatshëm. Dhe që ta rishikojnë qëndrimin e tyre për të mos bërë asnjë ndryshim tek marrëveshja. Nëse nuk tërhiqen, sigurisht që ne do të na duhet të largohemi nga Britania pa një marrëveshje”, tha zoti Johnson.

Paralajmërimi i tij u dënua nga opozita dhe nga Evropa.

“Një dalje pa marrëveshje është një kërcënim nga Britania. E vetmja që mund të shkaktojë dalje pa marrëveshje është qeveria britanike. Qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe Irlandës, nuk ka ndryshuar. Masa mbrojtëse është një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së tërheqjes”.

Parlamenti hodhi poshtë Marrëveshjen e Tërheqjes, të negociuar nga paraardhësja e zotit Johnson, Theresa May tre herë.

Anëtarët e parlamentit kanë paralajmëruar gjithashtu të bllokojnë çdo përpjekje për të dalë nga BE-ja pa marrëveshje, nga frika e pasojave të rënda ekonomike. Boris Johnson nuk ka përjashtuar mundësinë e pezullimit të parlamentit për të detyruar daljen, gjë që do të kishte pasoja të jashtëzakonshme kushtetuese.

“Qëndrimet e parlamentarëve do të jenë edhe më të ngurta tani dhe në një fare mënyre, ai përballet me një detyrë më të vështirë me parlamentin sesa zonja May. E vetmja shpresë për të tani, duhet të jetë që ky mesazh optimizmi të bëjë jehonë në vend, që vendi të përgjigjet dhe që kjo ta bëjë më të vështirë për parlamentarët të vazhdojnë me këmbënguljen e tyre”.

E vetmja rrugëdalje për zotin Johnson nga kjo situatë politike, është që t’i kthehet përsëri popullit.

“Mendoj se retorika e tij sikur përgatit terrenin për një fushatë zgjedhjesh të përgjithshme, ku ai do t’i bëjë thirrje publikut britanik të zgjedhë mes optimizmit dhe disfatizmit. Pothuajse mund t’i shohësh shenjat e sulmit të ai përgatit për zgjedhjet e ardhshme”.

BE-ja mund ta pranojë një shtyrje tjetër të afatit, që t’u hapë rrugën zgjedhjeve. Por anketat tregojnë se asnjë parti nuk do të marrë shumicën dhe publiku është thellësisht i ndarë.Pavarësisht nga qeveria e re, Britania po përballet me të njëjtat probleme, pa një fund të qartë për krizën politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG