Lidhje

SHBA, studentët e huaj nuk i raportojnë ngacmimet seksuale


Lëvizja #MeToo është përqëndruar tek sulmet dhe ngacmimet seksuale të figurave publike ndaj vartësve e personave të pambrojtur. Por ato që mbeten të pa raportuara janë rastet e përballjes së studentëve të huaj me këtë problem në Shtetet e Bashkuara. Studentët e kulturave të tjera mund të jenë edhe më të kërcënuar, kjo sepse disa prej tyre mund të jenë rritur me mësime për të mos i kundërshtuar personat me pushtet dhe për të mos krijuar konflikt. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Kathleen Struck bisedoi me artisten kineze Althea Rao. Në një përpjekje për të ndihmuar të tjerët ajo përcjell përmes artit, mënyrën se si ia doli të përballojë ngacmimet seksuale.

Artistja kineze Althea Rao komunikon përmes artit për t’u përcjellë të tjerëve mesazhin rreth ngacmimeve seksuale. Ajo ka qenë vetë viktimë ndërsa ndiqte studimet në Shtetet e Bashkuara:

“Kam kaluar një incident shumë të pakëndshëm. Isha viktimë e ngacmimeve seksuale. Pas një procesi hetimor, nuk u gjetën prova, ose ato ishin të pamjaftueshme. Pas gjithë kësaj, profesori im nisi të hakmerret”, tregon Althea.

Artisja është ftuar nga galleria “Artspace New Haven” në Konektikat. Althea e përcjell përvojën e saj përmes artit. Ajo e konsideron veten “ndërmjetësuese sociale”.

Veprat e saj përfshijnë pamje filmike, por ajo përqëndrohet më tepër tek skulpturat me drita.

Althea fton të tjerët të shkruajnë ndër të tjera sekrete në copa letre, të cilat i ngjit tek skulpturat me drita. Kjo është një mënyrë sipas saj, që ata që kanë heshtur, të thonë fjalën e tyre.

“Ka shumë rëndësi të dëgjojmë dhe të mos paragjykojmë këto raste. Në Kinë në të kaluarën njerëzit të thonin: “ti prekesh shumë shpejt. Mos u mërzit, kjo është normale”.

Ekspertët thonë se shumë studentë të huaj janë më të rezervuar dhe nuk i raportojnë ngacmimet seksuale:

“E dimë që ka plot njerëz, të cilët nuk i raportojnë këto incidente pasi druhen se do të fajësohen për atë që ka ndodhur. Studentët rezervohen, nëse shqetësohen se raportimi do të ketë pasoja negative qoftë nga universiteti apo nga sistemi ligjor dhe se këto probleme do të vënë në rrezik vazhdimin e studimeve në Shtetet e Bashkuara”, thotë Julia Kelly-Vail me Universitetin e Nju Hempshërit.

Althea Rao thotë se është e rëndësishme që edhe burrat të angazhohen në këtë diskutim.

“Barazia gjinore kërkon barazi mes të gjithë njerëzve, pra nuk nënkupton që njëra gjini të dominojë tjetrën. Dua të gjej një mënyrë për të ndihmuar burrat të kuptojnë se për të gjetur një zgjidhje në të mirë të të dyja palëve edhe ata duhet të angazhohen në këtë proces”.

Althea thotë se përpara lëvizjes #MeToo, gratë i duronin këto incidente në heshtje, por kjo praktikë po ndryshon sipas saj.

“Brezat e mëparshëm e kishin pranuar se do të ndesheshin me këto sjellje dhe se nuk duhet të kundërpërgjigjeshin për të mbijetuar. Brezi më i ri ka vendosur të thotë: “Ky sistem nuk më pëlqen. Ky sistem nuk është në rregull”.

Althea thotë se brezi i saj duhet të ushtrojë presios, duke e ndryshuar tonin e diskutimit dhe duke përfshirë të gjithë zërat në këtë debat. Ajo beson se arti është një mënyrë shumë e mirë për debate të tilla sociale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG