Lidhje

Brexiti dhe aleanca SHBA-Britani


Mundësia që Britania të shkëputet në fund të tetorit në mënyrë të pakontrolluar nga Bashkimi Evropian, pa pasur një udhëzues paraprak në formën e një marrëveshjeje dypalëshe, ka krijuar një situatë të trazuar politike për kryeministrin e ri britanik, Boris Johnson. Paundi britanik ka pësuar rënie të ndjeshme dhe analistët paralajmërojnë se mund të ketë kaos ekonomik. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgewell nga Londra, zoti Johnson ka shpresa se do të gjejë mbështetje tek aleati i fuqishëm në Shtëpinë e Bardhë për ta ndihmuar në këtë proces:

Presidenti amerikan i përcolli urime të ngrohta kryeministrit britanik kur mori detyrën:

“Mendoj se mund të kemi një marrëdhënie të shkëlqyer,” tha Presidenti Trump.

Sidomos në tregti:

“Mund të realizojnë 3-4 herë më shumë shkëmbime tregtare se tani,” tha Presidenti Trump.

Këto janë premtime të mirëpritura për kreun e qeverisë britanike në një kohë që vendi përballet me rrezikun e një shkëputjeje të pakontrolluar nga Bashkimi Evropian, nëse nuk arrihet më parë një marrëveshje. Prandaj Kryeministri Johnson i ka varur shpresat tek Shtetet e Bashkuara për mbështetje:

“Shtetet e Bashkuara janë, kanë qenë dhe do të jenë për një të ardhme të parashikueshme, aleati, miku dhe partneri ynë numër një,” tha zoti Johnson.

Ishte një mesazh në adresë të Amerikës dhe të Evropës.

“Nëse qeveria britanike arrin të negociojë një marrëveshje të mirë me Shtetet e Bashkuara, ajo shpreson që kjo do t’i rriste pikë kur të ulet me evropianët për të negociuar,” thotë profesori Tim Oliver.

Ata që e mbështesin këtë ide i kanë varur shpresat tek simpatia që kanë dy udhëheqësit për njeri-tjetrin:

“Ata të dy kanë plot pika të përbashkëta; jo thjesht flokë të verdhë, por edhe natyrën impulsive si dhe personalitete që bëhen më të spikatura se politikat që ndjekin. Po ashtu të dy kanë kufizime të ngjashme kushtetuese,” thotë profesor Oliver.

Zoti Johnson ka një shumicë shumë të vogël në parlament.

Në Shtetet e Bashkuara, demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe janë betuar t’i përmbahen Marrëveshjes së të Premtes së Mirë që mundësoi ndalimin e konfliktit në Irlandën e Veriut.

“Nancy Pelosy dhe demokratët në Kongres e kanë thënë shumë qartë se nëse vendoset kufi me Irlandën, Britania nuk do të sigurojë dot marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara,” thotë John Springworth i Qendrës për Reforma Evropiane.

Përveç Brexitit, Britania ndeshet aktualisht me plot sfida të tjera. Irani mori nën kontroll para disa javësh një çisternë detare që lundronte nën flamurin britanik dhe po vazhdon procesin e pasurimit të materialeve bërthamore. Uashingtoni shpreson që Britania do të ndjekë shembullin e tij dhe do të braktisë marrëveshjen me Iranin.

Në Hong Kong, protestuesit pro-demokracisë akuzojnë Britaninë, dikur kolonizatore e këtij ishulli, se tani u ka kthyer shpinën dhe i ka lënë në dorë të Kinës.

“Ka një numër temash që mund të acarojnë marrëdhëniet SHBA-Britani: Irani, Kina, ndryshimet klimatike, tortura… ka plot,” thotë profesor Oliver.

Në Evropë ka plot që mendojnë se Brexiti po dëmton sigurinë:

“Nga pikëpamja gjeopolitike ata shqetësohen se ndodhemi përballë një periudhe të përçarjeve brenda Perëndimit, ndërkohë që Rusia po ndjek politika revanshiste. Këto zhvillime po sjellin probleme jo vetëm në Britani, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe brenda Bashkimit Evropian. Ndërkohë Kina po shfaqet me forcë më të madhe në arenën ndërkombëtare,” thotë zoti Springworth.

Boris Johnson ka folur për një epokë të artë që po lind, një koment që të kujton zotimet e Presidentit Trump për ta bërë Amerikën përsëri të madhërishme. Por ndërkohë që mbeten rreth tre muaj deri në momentin e shkëputjes së Britanisë nga BE-ja, ky vizion optimist mund të mbytet së shpejti nën një mori problemesh të pakontrollueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG