Lidhje

Përplasjet Trump-Cummings për Baltimorën


Një luftë fjalësh mbi një javore vazhdon mes Presidentit Donald Trump dhe njërit prej Ligjvënësve më me peshë që po heton Shtëpinë e Bardhë – Ligjvënësit Elijah Cummings, i shtetit Merilend. Presidenti ka kritikuar Baltimorën, distriktin e këtij Ligjvënësi, si një “rrëmujë e infektuar nga minjtë dhe brejtësit”. Këto komente u kriktikuan si raciste. Baltimora, e ndodhur vetëm një orë larg kryeqytetit amerikan, dikur lulëzonte si një qytet industrial. Sot, si shumë qendra urbane, Baltimora përballet me tensione racore, krimin, pabarazinë ekonomike dhe papunësinë e lartë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, vizitoi Baltimorën dhe përgatiti materialin në vazhdim.

Katër vite më parë, qyteti Baltimorë, në shtetin Merilend, u dogj dhe farmacitë u plaçkitën kur plasën trazirat pasi një i arrestuar afrikano-amerikan vdiq ndërsa mbahej nga policia. Dyqanet janë në distriktin e Ligjvënësit Elijah Cummings. Sot, dyqanet janë rindërtuar, por tensionet nën sipërfaqe vazhdojnë.

Presidenti Trump shkruajti në Twitter se distrikti i Ligjvënësit Cummings është “një rrëmujë e infektuar nga minjtë dhe brejtësit” ku askush nuk dëshiron të jetojë. Disa i kritikuan këto komente si një goditje e padrejtë ndaj një qyteti me shumicë afrikano-amerikane. Të tjerë panë diçka të vërtetë në to.

“Vrasjet dhe siç tha ai (Presidenti Trump), minjtë dhe gjithçka tjetër. Na duhet një Baltimorë krejt e re. Duhet bërë nga e para”, thotë Rob, një banor i Baltimorës.

Këtu ka blloqe të tëra të pabanuara. Janë vetëm një pjesë e 17 mijë shtëpive të braktisura në Baltimorë. Por, disa thonë se zënka mes Presidentit Trump dhe Ligjvënësit Cummings nuk ka të bëjë me këtë gjendje të dëshmpëruar.

Kim Trueheart drejton një organizatë joqeveritare në distriktin e Ligjvënësit Cummings. Ajo thotë se Presidenti është i zemëruar me zotin Cummings pasi ai drejton Komisionin për Mbikqyrjen e Ekzekutivit që po heton administratën dhe marrëveshjet e biznesit të Presidentit Trump. Ligjvënësi Cummings ka kritikuar gjithashtu ashpër kushtet në të cilat mbahen emigrantët në kufi.

“Ç’domethënie ka kur fëmijët rrinë mbi shtresa të ndotura me jashtëqitje?”, u shpreh gjatë një seance dëgjimore Ligjvënësi demokrat Elijah Cummings.

Ndërsa shumë e shohin zënkën Trump – Cummings si një duel politik me intonacione racore, të tjerë shpresojnë që fokusi tek qyteti Baltimorë mund të sjellë ndryshimin.

“Ndoshta në vend që ta ulim qytetin tonë, më mirë të bashkohemi dhe ta përmirësojmë”, thotë një banore e Baltimorës.

Zonja Trueheart thotë se të rinjve të Baltimorës u duhen vende pune. Ajo përmend fëmijët që ofrojnë të lajnë xhamat e makinës për t’iu dhuruar ndonjë lek.

“Më pëlqen që nuk rrinë duarkryq. Nuk po mundohen të vjedhin. Kanë dalë të punojnë. Sfida është si t’u japim punë legjitime”, thotë zonja Trueheart.

Ndërsa Presidenti Trump e ka përqëndruar mërinë e tij ndaj lagjeve afrikano-amerikane të Baltimorës, distrikti i Ligjvënësit Cummings shtrihet edhe në rrethinat më të begata. Vetëm 20 kilometra nga qendra e Baltimorës sheh rrugë të sigurta dhe plot gjelbërim. Si shumë qytete të tjera të mëdha, Baltimora mishëron dy realitete: njëri prej të cilëve po thërret për ndihmë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG