Lidhje

Shkodër, Ademi këmbëngul: Nuk ja dorëzoj Bashkinë Pjetrit të PS


Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës deklaroi të mërkurën se nuk do t’ja dorëzojë zyrën fituesit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Zonja Ademi e bëri këtë njoftim në faqen e saj të facebook-ut ku, mes të tjerash shkruan: Asnjë hap pas! Shkodranët janë të vendosur të mbrojnë vlerat për të cilat i’u vunë përballë për 45 vite diktaturës. Shkodranët janë të bindur në rrugën e tyre për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë. Shkodra nuk mund të lejojë të qeveriset nga banda e inkriminuar uzurpatore, 6 përqindëshat nuk do të mund marrin peng Shkodrën”.

Deklaratën e saj zonja Ademi e bëri vetëm një ditë pas takimit dy orësh, në zyrën e saj, me ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, takim për të cilin të dyja palët thanë se diskutuan edhe për zgjedhjet e 30 qershorit, por pa dhënë detaje.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, e cila drejton edhe Shoqatën e Kryetarëve të Bashkive të Djathta, prej më shumë se dy muajsh ka bërë një oponencë të forte dhe të hapur kundër zgjedhjeve vendore të 30 qershorit duke i cilësuar antikushtetuese.

Vetëm një javë pas përfundimit të tyre,zonja Ademi ju drejtua me një letër të hapur ambasadave të akredituara në Shqipëri, me një kërkesë të çuditshme në kufijtë e dëshpërimit, që Shkodrën t’ja dorëzojë një komisioni administrativ europian. Më 17 korrik, ajo dorëzoi në Prokurorinë e Shkodrës një kallzim penal në lidhje me atë që ajo e quan,“krimet elektorale të kryera në votimet e 30 qershorit”. Ndërsa, një ditë më pas, ju drejtua Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Djathta për konstatimin si antikushtetues të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Në një prononcim për mediat, kryetarja Ademi u shpreh se shpresonte që, në momentin që Gjykata Kushtetuese do të ngrihet, do e marrë në shqyrtim kërkesën e tyre..“Ne po veprojmë në mënyrë institucionale. Gjithë kryetarët e bashkive i janë drejtuar institucioneve të drejtësisë, një e drejtë e jonë, për të ndërtuar demokracinë mbi bazën e shtetit. Apeloj që çështjet të hetohen dhe gjykohen në mënyrë të pavarur duke mos iu nënshtruar presionit politik”.

Deklarata e kryebashkiakes Ademi,se po vepron në mënyrë institucionale, duket se bie ndesh me qëndrimet e saj për të mos dorëzuar bashkinë. Me këtë janë bashkuar edhe ish deputetja e Shkodrës, Izmira Ulqinakut, si dhe kryetari i degës vendore të Partisë Demokratike. Në një linjë, ata kanë bërë thirrje për të mos lejuar Valdrin Pjetrin, kryetarin e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, për të hyrë në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës.

Përmes Sekretarit të saj të Përgjithëshëm Gazmend Bardhi, Partia Demokratike me datën 1 gusht i kërkoi Prokurorisë së Përgjithëshme të verifikojë pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit pasi, sipas saj, nuk ka dekaruar të dhëna të sakta në formularin e dekriminalizimit. Sipas zotit Bardhi ka të dhëna publike që provojnë se Valdrin Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik pasi “në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”

Ndërsa nuk ka asnjë njoftim nga prokuroria mbi këtë çështje, vetë kryebashkiaku i zgjedhur, Valdrin Pjetri, ju përgjigj shkurt akuzave të opozitës: “Sigurisht që jam i hapur mbi çdo verifikim timin, por jo mbi “Indicie Publike”. Askush më mirë se institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme nuk mund të kthejë përgjigje kërkesës së z. Bardhi dhe çdo personi tjetër të interesuar apo kurioz”.

Beteja e deklaratave, për drejtimin e një prej qyteteve kryesore të vendit dhe bastion historik i së djathtës, pritet të sheshohet pas 21 gushtit, ditës kur kryetares aktuale të Bashkisë së Shkodrës, zonjës Voltana Ademi, t’i përfundojë mandate katër vjeçar. Kjo, sepse pas kësaj date, ajo nuk do të ketë më të drejtën ligjore për të firmosur dhe marrë vendime në emër të Bashkisë së Shkodrës. Kjo do të thotë se rreth 1200 punonjësit e administratës së kësaj bashkie nuk do të arrijnë të paguhen, nëse nuk do të kryhet rotacioni që përcaktuan zgjedhjet e 30 qershorit, në të cilat opozita zgjodhi të mos marrë pjesë duke këmbëngulur se “nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me Edi Ramën kryeministër”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG