Lidhje

Kritikohet Presidenti Trump për thëniet se sulmet në masë u shkaktuan nga probleme mendore


Presidenti i Shteteve të Bashkuara e vuri theksin te sëmundjet mendore si shkaktari kryesor i dhunës me armë. Këto komente ai i bëri pas dy sulmeve në masë gjatë fundjavës ku u vranë më shumë se 31 persona. Kritikët thonë se retorika e presidentit nuk përputhet me veprimet e tij. Megjithëse Presidenti Trump ka kërkuar trajtim dhe izolim për personat me probleme mendore, administrata e tij ka hequr dorë nga rregullorja që u ndalon të sëmurëve mendorë blerjen e armëve. Po kjo administratë është përpjekur të shfuqizojë ligjin e kujdesit shëndetësor, me të cilin qytetarët me të ardhura më të vogla kanë qasje në shërbimet shëndetësore mendore.

Më shumë se 31 persona u vranë në dy sulmet në masë, javën që shkoi në El Paso të Teksasit dhe Dejton të Ohajos, të kryera nga persona me armë automatike.

Menjëherë pas sulmeve, Presidenti Trump premtoi veprime për të ndaluar masakrat.

Por ai minimizoi nevojën e kontrollit të armëve duke i dhënë fokus sëmundjeve mendore.

“Sëmundjet mendore dhe urrejtja tërheqin këmbëzën, jo armët”, tha Presidenti Trump.

Presidenti ka kërkuar reformë të ligjit për shëndetin mendor, në mënyrë që të identifikohen dhe trajtohen më lehtë personat me prirje për dhunë por në rast nevoje edhe të izolohen.

Por, përkrahësit e kontrollit të armëve dhe profesionistët e shëndetit thonë se fokusimi në sëmundjet mendore nuk e lufton këtë dukuri.

Në vend të kësaj, ekspertët thonë se treguesi i rrezikut është sjellja e kaluar kriminale.

“Ne e dime se urrejtja po i nxit këto krime dhe urrjejta nuk është sëmundje mendore”, tha Joshua Horwitz nga koalicioni për ndaljen e dhunës me armë.

Kritikët shtojnë se retorika e presidentit nuk përputhet me veprimet e tij. Administrata e tij është tërhequr nga rregulloret e kaluara për pronësinë e armëve nga të sëmurë mendorë dhe ka provuar të shfuqizojë ligjin e miratuar në mandatin e Presidentit Obama që u ofronte sigurim shëndetësor privat dhe qasje në programet qeveritare për trajtimin e shëndetit mendor personave me të ardhura të vogla.

“Sigurisht, shërbimet e shëndetit mendor kanë rëndësi. Njëkohësisht njerëzit që thonë se shkaku është shëndeti mendor dhe jo prania e armëve në rrugë, janë po ata njerëz që provuan të ndërpresin sigurimin shëndetësor falas Medicaid dhe po ata provuan të shfuqizojnë ligjin e kujdesit të përballueshëm”, tha senatori demokrat nga shteti Ohajo, Sherrod Brown.

Përkrahësit e kontrollit të armëve thonë se përqendrimi te sëmundjet mendore shmang faktorë të tillë si qasja e lehtë e amerikanëve në armë zjarri duke përfshirë edhe ato të kalibrit të rëndë.

“Nëse do të bësh diçka për të ndalur dhunën, duhet të bësh diçka për armët”, tha Joshua Horwitz nga koalicioni për ndaljen e dhunës me armë.

Presidenti Trump ka mbështetur shtrëngimin e procedures së blerjes së armëve, duke kontrolluar të kaluarën e blerësve, por kundërshtimet e grupeve që mbështesin të drejtën e posedimit të armëve si dhe mungesa e konsesusit në Kongres, zbehin mundësitë e miratimit të një ligji të tillë.

Nëse nuk bëhet diçka e madhe në rang federal, shtetet mund të marrin masa veç e veç.

Shtatëmbëdhjetë shtete kanë urdhëruar mbrojtje nga i ashtuquajturi “rrezik ekstrem” që lejon autoritetet t’u marrin armët qytetarëve që mendohet se paraqesin rrezik për veten ose të tjerët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG