Lidhje

Pompeo kritikon veprimet e Iranit në Lindjen e Mesme


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e cilësoi Iranin si kërcënimin më të madh për sigurinë dhe stabilitetin e Lindjes së Mesme. Në një fjalim para Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën, duke folur për sfidat komplekse me të cilat përballet Lindja e Mesme, zoti Pompeo bëri thirrje për "mendime të reja" për të zgjidhur "problemet e vjetra". Disa pjesëmarrës fajësuan fuqitë rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për shtimin e tensioneve në rajon me lëvizjet e tyre të njëanshme egoiste. Zlatica Hoke e Zërit të Amerikës ka dërguar këto hollësi.

Kërcënimi bërthamor i Iranit, luftrat shkatërruese në Siri dhe Jemen, konflikti i gjatë mes Izraelit dhe palestinezëve dhe pabarazia ekonomike në Lindjen e Mesme mbizotëruan diskutimet e së martës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Zoti Pompeo tha se programi bërthamor i Iranit dhe veprimet e tij në ngushticën e Hormuzit janë një kërcënim për botën dhe se ndërhyrja e tij në Irak, Liban, Siri dhe Jemen po shkaktojnë "pasoja shkatërruese humanitare" në rajon.

"Është e qartë se, nga Alepo në Aden, nga Tripoli në Teheran, më shumë se kurrë nevojitet bashkëpunim më i madh në Lindjen e Mesme. Ne kemi nevojë për mendime të reja për të zgjidhur problemet e vjetra."

Zoti Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara dhe Polonia kanë formuar shtatë grupe pune për të adresuar sigurinë dhe çështjet e tjera në një iniciativë paqeje të quajtur Procesi i Varshavës.

Rusia e ka kundërshtuar procesin, duke e quajtur atë një hap të njëanshëm dhe jodiplomatik.

"Ne nuk mund të jemi të kënaqur me një situatë kur thirrjet që Irani të ulet në një tryezë bisedimesh shoqërohen me fyerje të drejtpërdrejta, provokime dhe sanksione", tha Dmitry Polyanskiy, përfaqësues rus në OKB.

Përfaqësuesi rus tha se sanksionet amerikane kundër Iranit shkelin ligjet ndërkombëtare dhe e kanë sjellë ekonominë e vendit në ngërç. Ai tha se qëndrimi agresiv i Shteteve të Bashkuara, përfshirë fyerjet dhe ultimatumet, kontribuojnë në trazirat në të gjithë rajonin.

Përfaqësuesi gjerman në OKB tha se rritja e veprimeve të njëanshme ka shtuar tensionet në Lindjen e Mesme. Ai bëri thirrje për një koordinim të përpjekjeve ndërkombëtare dhe u kërkoi udhëheqësve rajonalë që të respektojnë të drejtat e njeriut në vendet e tyre.

"Është detyrë e vendeve të rajonit që të krijojnë mjedise politike, që lejojnë njerëzit e tyre të jetojnë pa frikë nga shtypja dhe torturat, uria dhe dhuna dhe t’u ofrojnë atyre siguri, dinjitet dhe liri", tha Andreas Michaelis, përfaqësues i Gjermanisë në OKB.

Të dërguarit ndërkombëtarë u bënë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së, veçanërisht ato që bëjnë thirrje për një zgjidhje me dy-shtete për konfliktin izraelito-palestinez. Ata theksuan nevojën urgjente për zhvillim ekonomik në disa nga zonat më të trazuara dhe identifikuan nevojën për përmirësimin e arsimit, mundësive të punësimit për gratë dhe popullsinë e re në rritje.

XS
SM
MD
LG