Lidhje

Maqedoni e Veriut, Prokurorja e Posaçme Janeva në paraburgim


Prokurorja e posaçme Katica Janeva u dërgua mbrëmë në paraburgim pasi u arrestua të mërkuren në drekë dhe më pas për disa orë u mor në pyetje në gjykatën themelore të Shkupit. Ajo dyshohet për shpërdorim të detyrës dhe të autoritetit në rastin gjyqësor të njohur si “zhvatja”. Zonjës Janeva iu caktua masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh. Ndërkaq, të enjten ajo duhet të lirohet për të marrë pjesë në varrimin e nënës së saj që vdiq një ditë më parë.

Katica Janeva kur erdhi në krye të Prokurorisë së Posaçme në vitin 2015 u cilësua si heroinë së bashku me dy gra të tjera të kësaj prokurorie të cilat lanë përshtyjen në opinionin publik për vendosmërinë për ta luftuar korrupsioni dhe kriminalitetin në radhët e politikanëve dhe njerëzve me pushtet e ndikim. Por, akuzat e ngritura ndaj saj për korrupsion duket se po hedh hije mbi vetë Prokurorinë në krye të së cilës ishte deri dje.

Prokurorja e Posaçme ka ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit për biznesmenin Jordan Kamçev dhe zëvendësimin me masën e arrestit shtëpiak. Ajo, sipas prokurorisë republikane, ka ndikuar në heqjen e kësaj mase në mënyrë që bie ndesh me ligjin, nxitur nga kërkesa e dy personave të tjerë që dyshohen në këtë rast të tetë milionë eurove prej biznesmenit Kamçev, i cli vlerësohet si njeriu më i pasur në Maqedoninë e Veriut. Dy të dyshuarit, të cilët tashmë ndodhen në paraburgim, kanë arritur që në muajin shkurt të këtij viti t’i marrin biznesmenit një milion euro dhe t’i nxjerrin ato me një valixhe Louis Vuitton nga shtëpia e tij, ndërsa 500 mijë euro i kanë marrë nga gruaja e tij. I dyshuari i parë i njohur si Boki 13 dyshohet të ketë shërbyer si një lloj sekseri i prokurores Katica Janeva në këtë skandal të madh korrupsioni. Ndërsa, në një audio-regjistrim të publikuar në gazetën italiane La Verita dëgjohet zëri i Prokurores së Posaçme Janeva duke i thënë biznesmenit Kamçev: “Mos u shqetëso se gjithçka do të jetë Okej”.

Biznesmeni Kamçev është akuzuar për larje parashë dhe vepra kriminale. Sipas akuzave, komunikimi i tij me njeriun e afërt të kryeprokurores së posaçme dhe korruptimi apo zhvatja, kishte të bënte me lehtësimin e rrethanave të arrestit të tij, bazuar në audio-regjistrimet e publikuara në shtypin italian.

Prokurorët e Prokurorië publike bënë të ditur se edhe persona të tjerë janë nën hetime, por ata i hodhën poshtë zërat se po bëhen bastisje në shtëpitë e disa politikanëve. Kryeprokurori publik Lubomir Jovevski u tha gazetarëve se nuk ka indicje që mjetet e marra nga biznesmeni të kenë përfunduar tek politikanë vendas apo të huaj.

Zonja Katica Janeva kur u mor në pyetje të martën në Prokurorinë publike, tha se atje shkoi në cilësinë e dëshmitarit, ndërkohë që mohoi të kishte faj lidhur me këto zhvillime. Në prokurori ajo ishte me një avokat të njohur, i cili mbron të akuzuar në raste që po procedon pikërisht Prokuroria e Posaçme.

Skandali i publikuar në shtypin italian ka tronditur themelet e gjyqësorit në Shkup.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG