Lidhje

Nevoja për rindërtimin e qytetit Raka në Siri


Tetor 2017
Tetor 2017

Dikur i konsideruar si kryeqyteti i Shtetit Islamik, qyteti sirian Raqqa po rimëkëmbet me ngadalë, dy vjet nga spastrimi i grupit terrorist. Siç njofton nga Raqqa korespondenti i Zërit të Amerikës, Sirwan Kajjo, zyrtarët lokalë dhe banorët ankohen për mungesë fondesh për rindërtimin e qytetit.

Afro dy vjet pas spastrimit nga militantët e Shtetit Islamik, qyteti sirian Raqqa po përpiqet të marrë veten nga një luftë që shkatërroi çdo aspekt të një jete normale.

Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara e çliruan qytetin Raqqa në tetor 2017. Por gjatë betejesë 3 mujore, pjesa dërmuese e infrastrukturës së qytetit u rrënua.

Zyrtarët lokalë ankohen se koalicioni ndërkombëtar për mposhtjen e Shtetit Islamik dhe që ndihmoi në çlirimin e qytetit, ka humbur interes në rindërtimin e Raqqa-s, ndërsa vëmendja është përqendruar tek zona të tjera të çliruara nga sundimi i Shtetit Islamik. Abdullah Aryan punon për Këshillin Civil të qytetit Raqqa.

“Më përpara takoheshim me zyrtarë të nivelit të dytë dhe ndonjëherë me zyrtarë të nivelit të parë. Por tani vizitohemi nga një punonjës nga Ministria e Mbrojtjes së Francës, apo ministria britanike e bujqësisë ose dikush nga qeveria amerikane që merret me shoqërinë civile.”

Këshilli Civil i Rakës, që u formua gjatë betejës për çlirimin e qytetit, ka patur përgjegjësitë kryesore për rindërtimin. Por mungesa e fondeve i ka detyruar ata të përqendrohen në rimëkëmbjen e shërbimeve bazë për të mundësuar rikthimin e sa më shumë të shpërngulurve. Abdullah al-Ali punon për Komisionin e Rindërtimit të Rakës.

“Për riparimin e rrugëve dhe urave na u desh të përdornim metoda primitive. Sollëm rrënoja nga disa pjesë të qytetit për të ndrequr rrugët dhe urat e shkatërruara. Kemi shumë pak para, sa për zgjidhje emergjente.”

Gjatë betejës kundër Shtetit Islamik u shkatërruan nëntë ura kryesore mbi Lumin Eufrat si dhe kanale vaditëse. Deri tani, vetëm tre janë riparuar.

Të kthyerit, si Abdulkarim Issa, gjejnë një vend të shkatërruar.

“Shtëpitë i gjetëm të rrafshuara me tokën. Kjo shëpi u ndërtua por pronarit të një tjetër shtëpie i kërkuan të paguante shuma të mëdha për rindërtimin. Ata nuk kishin para dhe shkuan në zonat e kontrolluara nga regjimi.”

Ekonomia lokale e përkeqësuar i bën të kthyerit të pyesin nëse vendimi për rikthimin ishte i mençur. Një prej tyre është Hassani.

“Situata ekonomike është e rëndë. Lëvizja e tregut është e ngadaltë dhe çmimet janë shumë të larta, mungon elektriciteti.”

Pa përparim të shpejtë në Raka, zyrtarët paralajmërojnë se ekstremizmi mund të ringjallet.

“Lufta kundër terrorizmit nuk është vetëm ajo ushtarake. Nëse nuk i kushtohet vëmendje bujqësisë, arsimit dhe kujdesit shëndetësor gjatë dhjetë viteve të ardhëshme, një gjeneratë e re terroristësh do të shfaqet këtu”, thotë Abdullah Aryan në Këshillin Civil të Rakës.

Vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara shkurtuan rreth 230 milion dollarë financime për verilindjen e Sirisë. Uashingtoni tha se do të mbështetej tek kontributet financiare nga vende si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera të koalicionit kundër Shtetit Islamik.

Pavarësisht shkurtimeve, Shtetet e Bashkuara mbeten donatori më i madh ndërkombëtar për reagimin në Siri, duke ofruar afro 8.1 miliard dollarë ndihma humanitare që nga fillimi i krizës për popullsinë e zhvendosur brenda Sirisë dhe rajonit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG