Lidhje

Policia e Hong Kongut fajëson protestuesit për dhunë


Policia e Hong Kong-ut fajësoi protestuesit për "shkallëzim dhe akte të dhunshme të paligjshme". Por një grup ligjvënësish pro-demokracisë thanë se ishin veprimet policore ato që ishin "krejtësisht të panevojshme" pas përleshjeve në fundjavën e 12-të të demonstratave.

Në një deklaratë zyrtare thuhet se oficerët e policisë arrestuan 36 persona. Aty thuhet gjithashtu se një oficer policie ra në tokë ndërsa protestuesit hodhën objekte mbi policinë, duke bërë që gjashtë oficerë të nxirrnin armët. Një oficer gjuajti në ajër në shenjë paralajmërimi.

Shumica dërrmuese e mijëra protestuesve marshuan paqësisht të dielën, por policia herë pas here hodhi gaz lotsjellës ndaj demonstruesve të zemëruar që u ndanë nga grupet më të mëdha. Policët përdorën gjithashtu pompat e ujit për herë të parë në përgjigje të protestuesve.

"Më parë bëmë një protestë shumë paqësore, por qeveria nuk përgjigjet. Për këtë arsye ne dalim në rrugë, dhe ndoshta disa policë mendojnë se kemi thyer ligjin e për këtë arsye hedhin gaz lotsjellës dhe kështu protestuesit zemërohen", thotë Thomas Ho, një protestues.

Demonstratat disa-javore në Hong Kong filluan me thirrjet për të ndaluar një projekt-ligj ekstradimi, i cili tanimë është pezulluar, por janë zgjeruar duke të përfshirë kërkesa për demokraci të plotë.

"Hong Kongu po kalon një revolucion. Është një revolucion, është më shumë sesa një lëvizje kundër ligjit të ekstradimit, pasi në tre muajt e fundit kemi pare aktivistët e Hong Kongut të rezikojnë përmes plumbave dhe gazit lotsjellës, apo shkopinjve të policisë,duke luftuar kundër kolonizimit nga Kina", thotë një protestues.

Protestat në qendrën kryesore financiare aziatike janë kërcënimi më i madh i paqes atje që kur Britania i kaloi Kinës kontrollin e Hong Kongut në vitin 1997. Protestuesit thonë se po demonstrojnë kundër asaj që e shohin si gërryerje të të drejtave sipas marrëveshjes “një vend, dy sisteme” për të cilën u ra dakord kur Pekini mori nën kontroll territorin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG