Lidhje

Marrëveshje të përbashkëta mes Shkupit e Beogradit


Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç ishte të hënën për vizitë në Shkup ku me homologun e saj maqedonas Zoran Zaev nënshkruan disa marrëveshje, si atë për njohjen e dokumenteve të klasifikuara, për laboratorët e veterinarisë dhe për njohjen e dokumentave të lëshuara nga drejtoritë e doganave të të dyja vendeve.

Në një konferencë shtypi, ndërkaq dy kryeministrat theksuan marrëdhëniet e mira midis dy shteteve, krahas lajmeve të shpeshta të konsideruara si të rreme në shtypin e të dy vendeve që ndërlidhnin zyrtarët e lartë shtetërorë në një skandal korrupsioni në Maqedoninë e Veriut, apo dhe me tema të tjera që supozohet të synonin ftohjen e raporteve midis Shkupit dhe Beogradit.

Kryeministrat Bërnabiç dhe Zaev vunë në dukje se rasti gjyqësor i njohur si “zhvatja” nuk do t[ minojë marrëdhëniet në mes dy vendeve fqinje, ndërsa lufta më e fuqishme kundër lajmeve të rreme, siç thanë, është e vërteta.

Shtypi në Beograd sidomos e ndërlidhte kryeministrin maqedonas në këtë skandal ndërsa “paratë e zhvatura nga një biznesmen maqedonas i dedikoheshin opozitës serbe për organizimin e protestave anti-qeveritare”, sipas shtypit serb.

“Gjithnjë ekziston dilema për t’u ballafaquar me lajmet e rreme dhe për të shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë, apo për të punuar në interes të qytetarëve për çka dhe na kanë votuar”, u shpreh kryeministrja serbe Ana Bërnabiç.

Ndërkaq, kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se “politikanët e kanë për detyrë të veprojnë për ndërtimin e miqësive dhe të ndihmojnë për standardizimin dhe përkufizimin e asaj që përbën gazetari kritike dhe çfarë janë lajme të rreme”.

Zonja Bërnabiç, nga ana tjetër, lidhur me mosekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina nga Shkupi në Beograd, tha se kjo nuk kishte ndonjë prapavijë politike. Bërnabiç është bindur se vendimin për lirimin e zotit Morina e kanë sjellur institucionet gjyqësore në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministrja Bërnabiç u prit edhe nga presidenti maqedonas Stevo Pendarovski.

Ana Bërnabiç dhe Zoran Zaev më herët të hënën lëshuan në përdorim sistemin e përbashkët të kontrollit të kalimtarëve dhe mallrave në pikën kufitare Preshevë – Tabanoc. Tash e tutje kontrolli do të bëhet vetëm në pikën kufitare të Preshevës.

Dy kryeministrat thanë se lidhja kufitare midis dy vendeve duhet të paraqesë shembull për bashkëpunimin rajonal.

Zoran Zaev e cilësoi aktin si kurorëzim të miqësisë së mirë midis dy vendeve. “Me këtë do të shpejtohet qarkullimi i pasagjerëve, mallrave dhe i automjeteve; do të shtohet numri i turistëve në të dy shtetet dhe i turistëve të cilët kalojnë nëpër dy vendet tona”, tha kryeministri maqedonas.

Zoti Zaev parashikon se me njohjen e certifikatave ndërkufitare midis vendit të tij dhe Serbisë do të ketë më pak mashtrime doganore e korrupsion dhe do të shtohet besimi e tregtia në mes dy vendeve fqinje.

Kryeministrja Bërnabiç tha se sistemi i integruar i kufirit do të mundësojë qarkullimin më të shpejtë të kamionëve dhe do të nxisë tregëtinë rajonale. Ajo ndërkohë shrytëzoi rastin për ta kritikuar vendimin e Prishtinës zyrtare për vendosjen e taksave ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës. “Serbia, - shtoi ajo,- do të kërkojë rrugë alternative përmes marrëveshjeve me shtete të tjera për zhvillimin e tregtisë”.

Prishtina vendosi tarifa ndaj mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar dhe që atëherë janë pezulluar edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë Beogradi kushtëzon rifillimin e tyre me heqjen e tarifave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG