Lidhje

SHBA vendos sanksione kundër Agjencisë iraniane të Hapësirës


Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër agjencisë iraniane të hapësirës, të cilën e akuzon se shërben për të mbuluar një program raketash. Këto janë sanksionet e para të këtij lloji të vendosura ndonjëherë nga SHBA.

Sekretari i shtetit Mike Pompeo tha se "Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë Iranin të përdorë agjencinë e hapësirës si mbulesë për të zhvilluar programin e tij të raketave balistike”.

Sanksionet e reja prekin Agjencinë iraniane të Hapësirës, Qendrën e Kërkimit Hapësinor dhe Institutin e Kërkimeve Aeronautike të Iranit.

Çdo aset që këto ente kanë në Shtetet e Bashkuara bllokohen, dhe shtetasve amerikanë u ndalohet të bëjnë biznes me to.

SHBA thonë se teknologjia iraniane për lëshimin e mjeteve në hapësirë është "praktikisht identike me atë që përdoret për raketat balistike", duke përfshirë mënyrat e kontrollit të një rakete gjatë fluturimit.

SHBA paralajmëruan gjithashtu "bashkësinë shkencore ndërkombëtare se bashkëpunimi me Iranin për lëshimet në hapësirë mund të kontribuojë në programin e tij të raketave balistike."

Irani thotë se programi i tij i hapësirës ka për qëllim ndërtimin e raketave për të hedhur në orbitë satelitë të telekomunikacionit. Që nga viti 2013, Irani ka hedhur dy satelitë të tillë. Por tre përpjekje të tjera këtë vit kanë dështuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG