Lidhje

Elektorati latin në qytetin Riding të Pensilvanisë 


Më shumë se gjysmë shekulli më parë, një grup portorikanësh u vendosën në Riding të Pensilvanisë për të punuar në fermat e kërpudhave. Që në atë kohë popullata hispanike e zonës është rritur shumë dhe tani përbën 65% të numrit total të banorëve. Ky raport ku grupi hispanik përbën shumicën po analizohet me vëmendje nga politologët, pasi është elektorali kyç në një shtet të pavendosur që konsiderohet i domosdoshëm për fitore nga të dyja partitë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Herman njofton nga qyteza Riding:

Nga kodra ku ndodhet pagoda 100 vjeçare e qytetit, Riding duket si një qytet i fjetur, ku prej vitesh është harruar begatia e dikurshme. Por kur futesh në rrugët e qytetit sheh një komunitet plot gjallëri.

Qyteza Riding e Pensilvanisë po zhvillon paradën dhe festivalin e parë portorikan, një shenjë e influencës në rritje të banorëve që u vendosën këtu nga Porto Riko.

Por kjo influencë ende nuk ka marrë përmasa politike.

I vetmi latino në këshillin bashkiak me gjashtë anëtar është Johanny Cepeda-Freytiz, pronar i një restoranti në Riding. Ai thotë se është dashur shumë punë për të informuar komunitetin për ndikimin dhe fuqinë e tyre votuese në rritje:

"Njerëzit ndjehen të izoluar. U dukej sikur vota e tyre nuk ka vlerë, nuk ka fuqi”.

Nënpresidenti i këshillit arsimor të qytetit, Eddie Moran po garon për t’u bërë kryebashkiaku i parë latin i qytetit. Ai beson se energjia politike në këtë qytet do të ndjehet në shkallë kombëtare:

“Mendoj se viti i ardhshëm do të jetë shumë i rëndësishëm pasi komuniteti latin do të ketë ndikim në fushatën zgjedhore”.

Numri i latino-amerikanëve që do të kenë të drejtën e votës në 2020 është i konsiderueshëm. Ndër ta numërohet edhe 18-vjeçarja nga Riding, Tatiana LeBreault.

“Megjithëse jam e re, kam parë njerëz të angazhuar më shumë në komunitet; kjo i nxit njerëzit të votojnë dhe të punojnë për përmirësimin e komunitetit dhe të mbarë vendit”.

Angel Figueroa ishte portorikani i parë që u zgjodh në këshillin bashkiak në 2002. Tani ky sipërmarrës ka organizuar paradën dhe festivalin e parë portorikan. Ai vë në dukje rolin e rëndësishëm të këtij komuniteti në zgjedhjet presidenciale.

“Zgjedhjet e vitit 2020 janë kyçe në përgjigje të urrejtjes dhe retorikës që dëgjojmë. Mendoj se ka ardhur koha që së bashku t’u përcjellim një mesazh partive politike”.

Disa hispanikë fajësojnë Presidentin Donald Trump për retorikë përçarëse. Megjithatë, 30% e tyre votuan për zotin Trump në 2016. Ai vazhdon të ketë përkrahës në Riding, ndër ta Nancy Rodriguez dhe Junior Cruz-Morales.

“E mbështes sepse kam parë që janë hapur mundësi të reja për latinot dhe sepse ai është më i përqëndruar tek komuniteti latin”.

“Ashtu mendoj edhe unë. Votuam për zotin Trump. Ai po bën punë të mirë. Nuk e di nëse do të arrijë të fitojë një mandat tjetër, por do të më pëlqente të fitonte”.

Zoti Trump fitoi në Pensilvani me një diferencë më të ulët se 1%.

Demokratët shprehen të bindur se do të marrin mbështetjen e votuesve latino në këtë komunitet për kandidatin e tyre në 2020. Ata thonë se Pensilvania do të jetë një ndër shtetet që do t’ia bëjë të pamundur një mandat të dytë Presidentit Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG