Lidhje

Futbolli bashkon demokratët dhe republikanët


Çdo dy vite ligjvënësit demokratë dhe republikan bashkohen në fushën e futbollit amerikan për një ndeshje bamirësie. Bashkë me lojtarë profesionistë të ligës NFL, ligjvënësit luajnë kundër ekipit të policisë së kapitolit dhe politika mbetet jashtë fushës.

Këtë ditë dallimet politike lihen mënjanë. Një herë në dy vjet ligjvënësit amerikan bashkohen në fushë futbolli për ndeshje bamirësie, kundër ekipit të policisë së kapitolit.

“Jemi këtu për fitore! Por do të zbavitem cilido qoftë rezultati”, thotë ligjvënësi amerikan Bruse Westerman.

Përballja e këtij viti ndodh pak orë pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, njoftoi se demokratët do të fillojnë procedurat për shkarkimin e Presidentit amerikan Donald Trump.

Ky aktivitet humanitar filloi në vitin 2005 kur ekipi i ligjvënësve “Mean Machine” dhe ekipi i policëve “The Guards” garuan në mbështetje të familjeve të dy policëve të vrarë.

Veç ligjvënësve aktualë edhe legjislatura e kaluar mori pjesë në lojë, bashkë me lojtarë të tjerë profesionistë.

Ekipi i kongresit nuk ka fituar që nga viti 2009, dhe ekipi i policëve dëshiron ta ruajë epërsinë.

“Është ndeshja ime e dytë. Jam mësuar me të, por është lojë që kërkon angazhim. Mblidhen shuma të konsiderueshme për kauza që ia vlejnë, për fondet e policisë, ushtrisë dhe ngjarja vazhdon të zgjerohet”, thotë Chad Nieto, officer policie.

Në fund të pjesës së parë, Kongresi kryesonte 8 me 4.

Dhe atmosfera pozitive nuk u dëmtua as në një ditë të trazuar politike.

“U zhgënjeva nga ajo që ndodhi sot, mendoj se ishte e gabuar. Por në fund, u bashkuan aty ku mundemi dhe tejkaluam inatet sepse i duhemi vendit të punojmë së bashku”, thotë Don Bacon, Ligjvënës republikan.

Demokrati Tom Malinowski, pavarësisht mbështetjes së idesë për shkarkimit e zotit Trump, theksoi nevojën që ligjvënësit të punojnë së bashku.

“Punuam bashkë dy partitë dhe këto gjëra ndihmojnë sepse njohim më mire njëri tjetrin, shoqërohemi. Është e vështirë të gjejmë gjuhë të përbashkët në fusha tjera”, thotë Tom Malinowski, ligjvënës demokrat.

Puna në ekip solli fitoren e kongresit me rezultat 14-4. Fondet e grumbulluara do t’i dorëzohen familjeve të policëve të vrarë në detyrë, fëmijëve të ushtarëve dhe atyre me të ardhura të pamjaftueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG