Lidhje

Austriakët votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare


Austriakët votuan sot (të dielën) në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, si rezultat i një video-skandali që rrëzoi nga pushteti koalicionin qeveritar të konservatorit Sebastian Kurtz dhe Partisë së Lirisë të ekstremit të djathtë.

Koalicioni qeveritar i zotit Kurtz u rrëzua pasi një video e publikuar tregonte zv/kancelarin e tij dhe udhëheqësin e Partisë së Lirisë, Heinz-Christian Strache gjatë një darke në Ibiza me një grua e cila pozonte si mbesa e një oligarku rus. Në video, zoti Strache shihet tek ofron për të ndërmjetësuar kontratat qeveritare.

“Shpresoj të ketë një koalicion më të mirë pas zgjedhjeve. Asnjë koalicion i ri nuk është i pamundur. Kurtz do të donte të qeveriste i vetëm por nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë”, thotë një votues austriak.

Pas skandalit mbështetja për Partinë e Lirisë ka rënë.

“Fakti që duhet të votoj përsëri nuk më zemëron. Ajo që më zemëroi ishte përmbajtja e video regjistrimit”, thotë një tjetër votues në Austri.

Zoti Kurz doli relativisht i padëmtuar nga skandali. Anketat tregojnë se Partia Popullore e udhëhequr nga ai ka mbështetjen e një të tretës së votave, duke i dhënë zotit Kurz mundësinë drejt fitores. Por ai do të ketë nevojë të formojë një koalicion për të siguruar shumicën, ndërsa mbetet e paqartë se kush do të jetë forca politike për këtë partneritet. Dy variante më të mundshme janë aleanca me Partinë e Lirisë ose koalicionet me të Gjelbërit dhe liberalët Neos.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG