Lidhje

Protestat në Hong Kong


Në Hong Kong me qindra vetë manifestuan sot (të mërkurën) përpara shkollës së një protestuesi 18 vjeçar i cili u qëllua me armë zjarri nga policia gjatë protestave të dhunshme kundër Pekinit që u zhvilluan një ditë më parë (të martën).

Pamjet filmike tregojnë momentin kur polici e qëllon 18-vjeçarin në gjoks, ndërsa ai po përgatitej ta gjuante me një shufër metalike. Ngjarja shënon herën e parë që policia e Hong Kongut përdor plumba të vërtetë që nga fillimi i demostratave në muajin qershor.

Shefi i policisë së Hong Kongut, Stephen Lo tha se oficeri ishte i justifikuar në përdorimin e armës sepse ndihej i frikësuar për jetën. Policia hodhi gaz lotsjellës e ujë në drejtim të protestuesve, të cilët hodhën mjete plasëse të bëra vetë si dhe u vunë zjarrin disa pikave kryesore të qytetit.

Sipas njoftimeve gjendja e studentit të plagosur është e qëndrueshme dhe ai ndodhet në një spital të Hong Kongut. Protestuesit të cilët u mblodhën jashtë shkollës së tij të mërkurën mbanin pankarta e foto të incidentit.

Përplasjet e dhunshme të së martës mes protestuesve pro-demokracisë dhe forcave të sigurisë së Hong Kongut, zbehën festimet në Pekin me rastin e 70 vjetorit të sundimit të Partisë Komuniste. Protestat katër-mujore të nxitura nga një projektligj që nëse miratohej do të mundësonte ekstradimet në Kinë, janë një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj kontrollit gjithnjë e më shtrëngues të Pekinit ndaj qytetit autonom.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG