Lidhje

Pentagoni duhet të dorëzojë dokumentat për ndihmat ushtarake për Ukrainën


Në SHBA, zyra e Inspektorit të Brendshëm të Departamentit të Mbrojtjes u ka dhënë urdhër zyrtarëve të Pentagonit të dorëzojnë të gjithë dokumentet dhe mesazhet lidhur me ndihmat ushtarake amerikane për Ukrainën, me synimin që të katalogohen e të ruhen.

Dokumentet mund të luajnë një rol të rëndësishëm në hetimet që ka hapur Dhoma e Përfaqësuesve dhe që mund të çojnë në procesin për shkarkimin e presidentit lidhur me bisedën e tij me udhëheqësin ukrainas.

Në një dokument të bërë publik të premten, inspektori i brendshëm i departamentit, Paul Ney shkruante se “identifikimi, ruajtja dhe mbledhja e të gjithë dokumenteve lidhur me ndihmat ushtarake për Ukrainën është i nevojshëm” në përgjigje të kërkesave që “pritet të vijnë për materiale të tilla”. Dokumentet lidhur me vonesat e përkohshme në lëvrimin e ndihmave për Ukrainën do të përfshijnë komunikime nga Pentagoni dhe agjenci të tjera, tha të enjten në komentet për shtyp zëdhënësi i Pentagonit Jonathan Hoffman.

“Me sa kuptoj unë, kjo është një praktikë standarde që kur ka interes në nivel disi të lartë nga Kongresi apo nga Inspektori i Brendshëm i Pentagonit në një temë të caktuar, departamenti merr masa për të garantuar që këto dokumente do të jenë të disponueshme,” tha ai.

Procesi i hapur në Dhomën e Përfaqësuesve është i përqendruar tek një telefonatë në korrik mes Presidentit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenski si dhe një numër komunikimesh mes zyrtarësh para dhe pas kësaj bisede.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë ngritur argumentin se Presidenti Trump i bëri presion homologut ukrainas të hapte hetime mbi djalin e rivalit të tij politik, Joe Biden dhe se ndoshta presidenti mund të ketë vonuar ndihmat duke i përdorur për presion mbi Ukrainën.

Zëdhënësi i Pentagonit tha dje se askush në Departamentin e Mbrojtjes, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper nuk ka qenë i përfshirë në këtë telefonatë.

Në një moment në kohë, para ose pas telefonatës, thuhet se Shtëpia e Bardhë kërkoi ngrirjen e afro 391 milionë dollarë ndihmash për Ukrainën, ndër të cilat 250 milionë dollarë ndihma ushtarake që ishin njoftuar nga Pentagoni në qershor për stërvitje, pajisje dhe këshillime për forcat e armatosura të Ukrainës.

Në zhvillime të tjera, këtë javë Departamenti i Shtetit njoftoi mundësinë për shitjen e një sistemi anti-tank Javelin me vlerë 39 milionë dollarë për Ukrainën.

Presidenti i Ukrainës i tha Presidentit Trump në korrik se vendi i tij ishte “i gatshëm të blente sisteme të tjera Javelin” siç thuhet në një memorandum të Shtëpisë së Bardhë lidhur me bisedën.

Kjo shitje e mundshme është transaksion i veçantë nga shuma prej 250 milionë dollarësh për ndihma ushtarake që u vonua për disa muaj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG