Lidhje

Refuzohet kërkesa e LDK-së, PDK-së e Nismës për rinumërim votash


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, refuzoi të martën këreksat e tri subjekteve politike për rinumërimin e votave.

Mulë Desku nga ky panel tha më herët se koalicioni NISMA-AKR-PD, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pretendonin “që në formularët për përputhje të rezultateve mungon një rubrikë apo një kolonë ku do të duhej të regjistroheshin votat e subjektit politik. Për faktin që mungon, votat e tyre pretendojnë se u janë bartur subjekteve tjera politike dhe e kontestojnë rezultatin dhe për shkak të kësaj parregullsie në njëfarë mënyre ato pretendojnë se duhet të rinumërohen vendvotimet në të gjithë Kosovën”, tha zoti Desku.

Paneli hodhi poshtë kërkesat e këtyre subjekteve.

Më herët të martën, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha ndërkaq se koalicioni i përbërë nga partia e tij dhe Partia Socialdemokrate e pranon rezultatin e zgjedhjeve.

’Ne nuk kërkojmë rinumërim e as përmbysje të rezultatit, pasi është e padrejtë ta dëmtojmë një ditë kaq të mirë zgjedhore. Qytetari nuk na ka dhënë të drejtën ta formojmë qeverinë, por ne vazhdojmë t’u mbesim besnik temave dhe nëse qeveria e ardhshme do angazhohet në këto tema, ne do t’i përkrahim”, tha zoti Haradinaj.

XS
SM
MD
LG