Të premten Teherani njoftoi se dy raketa goditën një anije cisternë iraniane në Detin e Kuq në brigjet e Arabisë Saudite.
Anija çisternë “Sabiti” u godit rreth 130 kilometra në jug-perëndim të qytetit port të Arabisë Saudite Jeddah, thuhej në një deklaratë të Agjencisë Shtetërore Iraniane të Lajmeve IRNA, e cila citonte Kompaninë Kombëtare të Naftës (NIOC) që ka në pronësi anijen. Shpërthimi shkaktoi dëmtime të anijes si dhe rrjedhje të naftës në Detin e Kuq, që u ndalua më pas.
Megjithatë në njoftimin e IRNA-s nuk u tha se ndaj kujt rëndonin dyshimet e Iranit se mund të ishte autor i sulmit të pretenduar me raketa.
Ky është incidenti më i fundit në rajon në një kohë kur gjatë muajve të fundit tensionet mes Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar.
Arabia Saudite nuk e ka bërë komente rreth sulmit të pretenduar.
Flota e 5-të e Marinës amerikane tha se është në dijeni të njoftimeve mbi incidentin, por nuk bëri asnjë koment të mëtejshëm.
Pas sulmit çmimi i naftës u rrit me 2 për qind.
Facebook Forum