Lidhje

Industria amerikane e argëtimit përballë ndikimit të Kinës


Polemikat mes Kinës dhe një menaxheri të lartë të Shoqatës Kombëtare të Basketbollit amerikan që njihet ndryshe si NBA nuk përbëjnë ndonjë surprizë për shumë njerëz që ndjekin zhvillimet në Kinë. Ata thonë se kjo po ndodh në një kohë kritike për Kinën ndësa ai vend feston 70 vjetorin e Republikës Popullore, dhe ndërkohë që janë shënuar një numër zhvillimesh që po bëjnë bujë në shkallë ndërkombëtare, si tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara ndërsa vazhdojnë protestat në Hong Kong. Por reagimi i ashpër kinez ndaj Shoqatës Kombëtare të Basketbollit hedh dritë mbi shkallën e lartë të ndikimit dhe fuqisë që Pekini ka mbi industritë amerikane të argëtimit. Njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee.

Reklamat e NBA u hoqën në Kinë, ndërsa sponsorët kinezë pezullojnë marrëdhëniet me ligën amerikane të basketbollit profesionist.

Gjithçka filloi në median sociale. Menaxheri i përgjithshëm për ekipin e basketbollit Rockets të Hjustonit shprehu mbështetje për protesat pro-demokracisë në Hong Kong.

Clayton Dube është me Institutin Amerikano-Kinez në Universitetin e Kalifornisë së Jugut.

“Ekipi Rocket reaguan duke u përpjekur të minimizojnë dëmin”.

Kevin Klowden është me Institutin Milken.

“Kina ka një fuqi të madhe ekonomike meqenëse ka popullsinë më të madhe në botë. Kompanive u duhet të jenë të kujdesshme për sa kohë që duan të jenë në atë treg.”

Menaxheri i ekipit Rockets kërkoi ndjesë në median sociale duke u shprehur se nuk kishte qëllim të ofendonte tifozët apo miqtë e tij në Kinë. Nga ana tjetër, NBA mbështeti të drejtën e tij për lirinë e shprehjes.

Adam Silver është Komisioner i Shoqatës Kombëtare të Basketbollit.

“Vlerat që NBA ka përqafuar prej shumë kohe janë në mbështetje të lirisë së shprehjes dhe sigurisht fjalën e lirë mes komunitetit tonë të NBA, në këtë rast Daryl Morey në cilësinë e Menaxherit të ekipit Rockets të Hjustonit.”

Ligës së basketbollit i duhet të përpiqet fort për të gjetur baraspeshën. Po kështu edhe Hollivudit.

Për disa, Hollivudi është treguar i kujdesshëm, duke portretizuar pozitivisht Kinës dhe duke shmangur tema të caktuara.

Stanley Rosen është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kalifornisë së Jugut.

“Tre temat më të spikatura fillojnë me t...Tibeti, Tajvani dhe Tiananameni i vitit 1989. Çdo gjë që trajton çëshjtet e sovranitetit të atij vendi prek interesat thelbësore të Kinës, siç është Deti i Kinës së Jugut. Njerëzit po shprehen gjithnjë e më shumë se Kina ka treguar prirje për zgjerim. Por Kina nuk do që të përmenden gjëra të tilla që i bien ndesh politikave të Pekinit”.

“Sigurisht që klientët nuk duhen ofenduar, por në të njëjtën kohë është problematike për ne që na kërkohet të kemi idetë e qeverisë kineze, apo idetë që kanë përqafuar shumë njerëz në Kinë, pra që ata të përcaktojnë se si duhet të shpreheni”,-thotë zoti Clayton Dube.

Krijuesit e serialit multiplikativ “South Park” i kishtuan një episod vetë-censurimit që bën industria e argëtimit për të qetësuar Kinën.

“Ndërprite, ndalu...fëmijë mos e përmendim fare termin vend i lirë. Hej, ata u treguan shumë të mirë që erdhën nga Kina për të na ndihmuar me standardet tona.”

Pekini reagoi duke ndaluar transmetimin e serialit në Kinë.

Pavarësisht nëse është “South Park” apo liga e basketbollit, reagimi i Kinës po sjell pasoja të paqëllimta.

“Si rezultat i kësaj, imazhi i Kinës po goditet në mbarë botën. Bota po i kushton vëmendje”, thotë zoti Rosen.

Vëmendje ndaj influencës së Kinës tek bizneset amerikane dhe vëmendje tek protestat në Hong Kong, shton profesori Rosen.

‘Shumë njerëz nuk i kanë kushtuar vëmendje Hong Kongut. Por tani me këto përplasje me ligën e basketbollit, shtohet vëmendja edhe tek temat e tjera. Kur njerëzit mësojmë më shumë rreth situatës..ata gradualisht do të thonë se njerëzit në Hong Kong janë në rrugë të drejtë.”

Ekspertët thonë se Pekini synon të kontrollojë mesazhet brenda vendit dhe se është i vetëdijshëm se edhe komentet e nisura nga jashtë Kinës do të gjejnë shtegun për të shkuar tek qytetarët e atij vendi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG