Lidhje

Ëndrra amerikane për një familje të madhe ukrainase


Pesë vëllezër erdhën në Shtetet e Bashkuara nga Ukraina pothuajse dy dekada më parë në kërkim të ëndrrës amerikane. Gjatë këtyre 20 viteve, ata kanë bërë punë të ndryshme si pastrimi i dyshemeve, dërgimi i postës dhe gjëra të ndryshme në sektorin e ndërtimit. Por ata kishin ëndrra më të mëdha. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Khrystyna Shevchenko u takua me këtë familje të veçantë për të mësuar më shumë për historinë e tyre.

Një familje e madhe ukraino-amerikane është mbledhur në një shtëpi në Sakramento. Nuk ndodh shpesh që të pesë vëllezërit Skots të jenë në pushim në të njëjtën ditë, por kur kjo ndodh, ata e kalojnë kohën me familjen. Pastaj punojnë me familjen pasi pesë vëllezërit kanë themeluar kompaninë e transportit UskoTrucking, e cila transporton mallra me kamionë në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.

"Së pari bleva disa kamionë vetë, tre ose pesë. Dhe kështu filloi gjithçka", thotë Vlad Skots, bashkëpronar i kompanisë UskoTrucking.

Vlad erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2001 së bashku me tre vëllezërit e tij Nikolaj, Vitaly dhe Sergey, vëllai i tyre i madh Stepan tashmë po i priste në Sakramento.

"Stepan-i kishte disa miq dhe të afërm që po na prisnin, të gjithë erdhën për të na takuar në aeroport", thotë Nikolay Skots, bashkëpronar i kompanisë UskoTrucking.

Sfida e parë dhe më e madhe për vëllezërit ishte mësimi i gjuhës.

“Ne filluam të punojmë, pastronim dyshemetë në një restorant natën, dhe gjatë ditës mësonim anglishten. Pesë deri në gjashtë orë në ditë për mbi tetë muaj ndoqëm kurset e gjuhës!", thotë Vitaly Skots, bashkëpronar i kompanisë UskoTrucking.

Ata punuan në sektorin e ndërtimit, shpërndarjen e ushqimit dhe kursyen mjaft para për të blerë kamionët e tyre të parë.

“Në vitin e parë kemi bërë shumë udhëtime, rreth 482 mijë kilometra. Kjo është me të vërtetë shumë”, thotë Sergey Skots, bashkëpronar i kompanisë UskoTrucking.

Shumë shpejt ata blenë më shumë kamionë dhe kështu në vitin 2011 lindi kompania UskoTrucking.

Tetë vjet më vonë, kompania e tyre UskoTrucking është bërë e madhe dhe ka mbi 150 punonjës.

"Ju duhet të bëni atë që ju pëlqen dhe t'u shërbeni klientëve tuaj në mënyrën më të mirë të mundshme", thotë Vitaly Skots.

Vëllai i madh Stepan është 60 vjeç, ai është i vetmi që nuk merr pjesë në biznesin e familjes sot.

Por edhe pse të gjithë nuk punojnë bashkë, ata luajnë së bashku. Dhe afërsia me njëri-tjetrin u ka sjellë atyre sukses dhe realizimin e ëndrrës amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG