Lidhje

Tiranë: Arrestohet një i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji


Policia shqiptare njoftoi arrestimin e 34-vjeçarit nga Nikla e Fushë - Krujës, Redjan Rraja, i dyshuar si një nga autorët e atentatit me armë zjarri të premten ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji, shoferit të tij Andi Maloku dhe bashkudhëtarit tjetër Pëllumb Muharremi, i njohur për rekordet kriminale, megjithë ndryshimin e shpeshtë të identitetit.

Gjurmë të Rrajes dhe personave të tjerë u gjetën në një automjet të braktisur në një fshat të Durrësit, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes gjatë sulmit.

Arrestohet një i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoji
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Redjan Rraja dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, sulmoi të premten pas mesdite me breshëri armësh automatike nga një automjet në ecje përgjatë autostradës Durrës - Tiranë prokurorin 42-vjeçar Arjan Ndoji, i cili udhëtonte me shoferin e tij Andi Maloku dhe 46-vjeçarin Pëllumb Muharremi, me emrin e ri Aleksandër Laho.

Ndoji mbeti i plagosur, por është jashtë rrezikut për jetën, si edhe Laho. Shoferi Andi Maloku është në gjendje më të rëndë nga plumbat në pjesë kritike të trupit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet bazuar në tre akuza nga vrasja në bashkëpunim e funksionarëve publikë, e mbetur në tentativë, tek vrasja ndaj dy a më shumë personave, e natyrisht edhe për armëmbajtje pa leje.

Në automjetin e braktisur u gjetën armë automatike, dy maska, një shishe me lënde djegëse dhe sende të tjera të autorëve. Prokuroria kontrolloi banesat e 15 personave në Tiranë, Krujë dhe Lushnje, ku sërish janë gjetur prova materiale mbi autorët e mundshëm të ngjarjes.

Politikanët edhe këtë radhë mbajtën një qëndrim të përkundërt. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, tha se ngjarja është një shembull i “luftës mes bandave në pushtet, e cila njollos edhe një herë tjetër Partinë Socialiste”.

Ndërsa kryeministri Edi Rama përshëndeti policinë “për zbardhjen e ngjarjes kriminale”.

Ai shënoi në rrjetet sociale se brenda këtij muaji do të përgatitet një ligj special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda.

Emri i prokurorit Ndoji tërhoqi vëmendjen e publikut pak javë më parë, pas urdhërit të tij për arrestimin e Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, Liridon Pula.

Ky akt solli reagimin e pazakontë nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendës-kryeministri Erion Braçe, të cilët e akuzuan atë si një personazh të lidhur me botën e krimit, e që vepron për llogari të bandave të Durrësit.

Prokurori Ndoji më herët ka punuar si avokat, kur ka mbrojtur disa emra të spikatur të botës së krimit.

Personi që udhëtonte me të në makinë, Aleksandër Laho, ka ndryshuar disa herë identitetin; ai është më shumë i njohur si Pëllumb Muharremi, dhe me nofkën “Rrumi”.

Ai dyshohet për përfshirje në veprimtari kriminale, një prej të cilave dhuna ndaj një biznesmeni libanez, i cili po investonte për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit.

Policia po kërkon me një seri masash shtesë edhe autorët e tjerë të ngjarjes në autostradën kryesore të vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG