Lidhje

Pompeo dhe mundësia e kandidimit të tij për postin e senatorit


Udhëtimet e shpeshta zyrtare të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo në shtetin e tij Kansas, kanë nxitur spekulime se ai mund të japë dorëheqjen dhe të kandidojë për Senatin amerikan. Por disa vëzhgues të politikës thonë se roli i zotit Pompeo në bllokimin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën dhe procesi i hetimit të Presidentit mund të kenë ndikim në perspektivën e tij politike.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka zhvilluar tre vizita zyrtare në shtetin e tij Kansas këtë vit.

Vizititat e tij kanë tërhequr shumë vëmendjen e medias, përfshi këtu edhe shefin e kanalit televiziv Fox News Rupert Murdoch, i cili me shaka e prezantoi zotin Pompeo javën e shkuar në Nju Jork si njeriu me shumë tituj.

“Përfaqësuesi Pompeo, Drejtori Pompeo, Sekretari Pompeo, Senator Pompeo...President Pompeo.”

Gjatë vizitës së fundit, zoti Pompeo u pyet nga një gazetar nëse procesi i hetimit të presidentit ka ndikuar tek ambiciet e tij politike.

“Nuk ka ndryshime. Besoj se i jam përgjigjur kësaj pyetjeje qindra herë. Misioni im nis çdo mëngjes kur zgjohem, është tejet i qartë. Detyra jonë në Departamentin e Shtetit është që të mbajmë të sigurtë popullin amerikan, të zbatojmë diplomacinë amerikane dhe të sigurohemi që tregjet amerikane janë të hapura për produktet e Kansasit në mbarë botën.”

Zoti Pompeo ka përsëritur vazhdimisht se ai do të shërbejë si Sekretar Shteti për aq kohë sa dëshiron Presidenti Trump. Por ekspertët thonë se së paku ai do të marrë në kosideratë kandidimin për Senat. Burdette Loomis punon në Universitetin e Kansasit.

“Ai do të argumentojë se kjo nuk po e pengon që të kryejë detyrat si Sekretar Shteti. Por është një dyzim i çuditshëm kur kemi një Sekretar Shteti që duket se po e studion terrenin ndoshta për një mundësi kandidimi për Senatin.”

Hetimi lidhur me bllokimin e ndihmës ushtarake amerikane nga administrata e Presidentit Trump mund të ketë ndikim negativ në perspektivën e zotit Pompeo, thotë për Zërin e Amerikës profesorja Burdette Loomis.

“Gjatë javëve dhe muajve të fundit ka rënë shkëlqimi i zotit Pompeo. Nuk është e qartë se cili ka qënë roli i tij në Ukrainë. Sigurisht që nga dita në ditë, mungesa e moralit në Departamentin e Shtetit po bëhet më e dukshme.”

Ndërsa roli i tij në hetimet për Ukrainën po vëzhgohet me kujdes, zoti Pompeo tha për median lokale se njerëzit në Kansas nuk janë të përqendruar ndaj asaj që ai e quajti “zhurmë” në Uashington.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG