Lidhje

Kushtetuesja, parlamenti: Dekreti i Metës është nul


Në Shqipëri parlamenti miratoi sot një rezolutë sipas së cilës dekreti me anë të të cilit presidenti Ilir Meta ka emëruar ai anëtare në Gjykatën Kushtetuesa zonjën Marsida Xhaferllari “është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”. Zoti Meta e emëroi zonjën Xhaferllari, pasi kishte kaluar afati 30 ditor që ligji për Gjykatën Kushtetuese ja njeh atij si afat brenda së cilit mund të zgjedhë një nga 3 kandidatët e renditur të parët në listën që i dërgohet nga Këshilli i Emrimeve në Drejtësi (KED).

Sipas rezolutës së parlamentit, presidenti “ka shkelur njëkohësisht jo vetëm afatin prekluziv brenda të cilit duhej të emëronte gjyqtarin kushtetues, por ka emëruar si gjyqtar një kandidat që është listuar në vendin e katërt sipas vendimit të KED-së. Presidenti ka marrë në mënyrë abuzive kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është i vetmi organ që ka kompetencën e renditjes së kandidatëve sipas Kushtetutës dhe ligjit”.

Rezoluta vlerëson se “duke vepruar në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të ligjit dhe në mungesë të kompetencës, Presidenti ka kryer një akt të paprecedent duke tentuar të pezullojë një proces kushtetues me procedura ligjore administrative. Presidenti ka tentuar të bllokojë emërimin/zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që sjell zvarritjen e rifillimit të funksionimit të kësaj Gjykate. Për më tepër, ky veprim synon të ndikojë në cënimin e pavarësisë së këtij institucioni, nëpërmjet ndërhyrjeve antikushtetuese në procedurat e emërimit të gjyqtarëve të kësaj Gjykate”.

Me anë të rezolutës, parlamenti i bën thirrje Gjykatës Kushtetues të mos e zbatojnë “dekretin nul të presidentit” si dhe që të mundësojë fillimin e detyrës, për zonjën Arta Vorpsi, e cila sipas vendimit të KED-së botuar në Fletoren Zyrtare, është emëruar automatikisht duke qenë e renditura e para në listën dërguar presidentit.

Në ndërhyrje e tij në seancën e sotme të jashtëzakonmshme të parlamentit, kryeministri Edi Rama u shpreh me ton të forta ndaj Kreut të shtetit. “Asnjë vendi nuk mund t'i bie taksirati të ketë një president si Ilir Meta, dhe duhen marrë masa ligjore kushtetuese, për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti brutal të atij që zyrën e presidentit e ka kthyer në zyrë për të shantazhuar parlamentin, ndërkombëtarët, popullin shqiptar”, deklaroi zoti Rama.

Po me tone të ashpra foli dhe presidenti Meta në një prononcim për gazetarët, ndërsa kishte nisur në parlament seanca e jashtëzakonshme. “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ka vetëm një garant të padiskutueshëm dhe të pacenueshëm në integritetin e vet, qëështë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë! Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura! Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë! Do të jetë detyrë e Presidentit të Shqipërisë dhe e popullit të Shqipërisë që t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore dhe të gjithë shërbëtorëve e skllevërve të tyre, kudo ku janë”, deklaroi zoti Meta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG