Lidhje

Trump mund të dëshmojë në hetimet kundër tij


Presidenti Donald Trump la të kuptohet se mund të jetë i gatshëm të ofrojë dëshmi për Dhomën e Përfaqësuesve, e cila po heton nëse ai i ka bërë presion presidentit të Ukrainës në një telefonatë të 25 korrikut.

Në komentet që bëri të hënën në Twitter, zoti Trump shkruan se ai do të “studiojë me përparësi” një ofertë të kryetares së Dhomës, Nancy Pelosi për të dëshmuar para komisionit, i cili po heton presidentin me synimin për ta shkarkuar atë.

Dhoma e Përfaqësuesve, ku kontrollin e kanë demokratët, po përpiqet të përcaktojë nëse Presidenti ka shpërdoruar pushtetin duke i bërë presion presidentit të Ukrainës të hetojë rivalin politik të zotit Trump, Joe Biden, si shkëmbim për zhbllokimin e ndihmës ushtarake për Kievin.

Presidenti Trump shkruante në Twitter: “Edhe pse nuk kam bërë asgjë të gabuar dhe nuk kam dëshirë t'i jap besueshmëri këtij procesi të sajuar, më pëlqen ideja dhe vullneti, në mënyrë që Kongresi të përqendrohet përsëri. Do ta shqyrtoj këtë me përparësi.”

Të dielën, zonja Pelosi i tha rrjetit televiziv CBS se Presidenti Trump, nëse do, mund të dalë para komisionit dhe “të thotë të gjithë të vërtetën që dëshiron.”

Kjo javë, duke filluar nga e marta shënon një raund tjetër dëshmish në Dhomën e Përfaqësuesve. Janë gjithsej 8 zyrtarë diplomatikë e të sigurisë kombëtare që do të dalin përpara komisionit përkatës për të dëshmuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG