Lidhje

Protestat në Iran


Iranian President Hassan Rohani

Presidenti iranian Hassan Rouhani pretendoi fitore ndaj atyre që i cilësoi si "armiq" të vendit dhe që i fajëson për protestat e dhunshme mbarëkombëtare antiqeveritare kundër rritjes së çmimit të gazit.

Në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror të mërkurën ai tha se demonstratat "spontane" në mbështetje të qeverisë në të gjithë vendin treguan fuqinë e vërtetë të popullit iranian kundër një "komploti" të kryer nga Arabia Saudite, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

Televizioni shtetëror iranian transmetoi imazhe nga tubimet pro-qeveritare në disa vende të martën, në një përpjekje për të minimizuar protestat. Autoritetet gjithashtu zgjatën vendimin për të penguar qasjen në internet për të katërtën ditë me radhe në një përpjekje për të ndaluar iranianët që të shpërndajnë pamje nga protesta.

Ndërprerja që nisi të shtunën e bëri të vështirë të kuptohet përmasa e protestave të së martës.

Demonstratat shpërthyen të premten si përgjigje ndaj një vendimi të papritur të qeverisë për të rritur çmimin e subvencionuar të gazit me 50 për qind. Shumë iranianë e shohin rritjen si një tjetër ngarkesë në kurriz të tyre në një kohë të përkeqësimit të situatës ekonomike.

Organizata “Amnesty International” thotë se forcat iraniane të sigurisë kanë vrarë të paktën 106 persona në protestat mbarëkombëtare anti-qeveritare që nga dita e premte, ose katër herë më shumë nga numri i vdekjeve të regjistruara gjatë protestave të fundit masive që përfshinë Iranin dy vjet më parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG