Lidhje

Ish zyrtari i USAGM dënohet tre muaj burg për vjedhje


Një ish zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe zyrtar i lartë i Agjencisë amerikane për Median Globale (USAGM) u dënua të premtën me tre muaj burg për vjedhje të pronës shtetërore.

Haroon Ullah, i cili shërbeu nga tetori i vitit 2017 deri në prill të vitit 2019 në një post të lartë për stategjinë në agjencinë që mbikëqyr Zërin e Amerikës, pranoi fajësinë në qershor për mashtrime me dhjetëra mijëra dollarë. I dënuari Ullah kishte fallsifikuar faturat e udhëtimeve personale për të promovuar një libër, sikur gjoja ishin në udhëtime biznesi për qeverinë.

Sipas ligjeve federale, Ullah u përball me një dënim nga 10 deri 16 muaj burg për vjedhje të pronës shtetërore. Para dënimit të tij, prokurorët dhe avokatët mbrojtës kishin rënë dakord për një dënim 60 ditor që do të kryhej gjatë 30 fundjavave dhe kthimin e 34 mijë dollarëve, pothuajse shuma e përfituar prej tij padrejtësisht gjatë periudhe vjedhjesh nëntë mujore.

Ullah bëri pagesën të premten. Por gjykatësi federal T.S. Ellis tha se duhej një dënim më i ashpër si një shembull për punonjësit e tjerë të qeverisë që mund të përfshihen në veprime të ngjashme.

“Nëse vjedh kaq shumë para nga qeveria, duhet të ketë pasoja”,- i tha gjykatësi Ellis të pandehurit Ullah në gjykatën federale të Aleksandrisë në Virxhinia.“Dënimi duhet të jetë një paralajmërim për të tjetër që të mos përfshihen në veprime të tilla”.

Ka gjasa që Ullah do të fillojë të vuajë dënimin në fillim të janarit pasi Byroja e Burgjeve të caktojë vendin, tha Mark Schamel, një nga avokatët për Haroon Ullah.Burgosja do të pasohet me një lirim të mbikëqyrur tre vjeçar dhe 30 ditë punë e detyruar, gjatë së cilës atij i kërkohet të flasë para zyrtarëve të lartë të qeverisë lidhur me pasojat kriminale për fallsifikimin e dokumenteve.

USAGM, e njohur më parë si Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet (BBG) është një agjenci qeveritare e pavarur që mbikëqyr Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, Zyrën e Transmetimeve për Kubën, Radion Azia e Lirë dhe Rrjetet e Transmetimit për Lindjen e Mesme.

Përmes një deklerate, USAGM tha se dënimi “dërgon një mesazh të fuqishëm se toleranca është zero për mashtrimet dhe krimin”.

“USAGM e sheh me seriozitet të lartë këtë çështje dhe është e angazhuar për transparencë ndaj të gjitha proceseve dhe sistemeve të agjencisë”, thuhet në dekleratë.

USAGM shton se mbikëqyrja e brendëshme dhe sistemet e kontrollit i zbuluan dhe ndaluan aktivitetet mashtruese të ish punonjësit Ullah, duke reduktuar humbjet financiare për qeverinë. Sipas prokurorëve, Ullha kishte menduar të vidhte afro 50 mijë dollarë, por nuk ia doli pasi u kap.

“Sapo u bënë të ditura të dhënat për parregullsi, agjencia e referoi çështjen tek Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm (OIG) pranë Departamentit të Shtetit, një veprim që është në përputhje me politikat e agjencisë”, thuhet në dekleratën nga USAGM.

Para se të punësohej në një post të lartë drejtues në USAGM në fund të vitit 2017, Ullah, i cili mban titullin doktor dhe ka publikuar libra si dhe njihet si ekspert për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ka punuar si këshilltar për planifikim politikash në ekipin e ish Sekretarit të Shtetit John Kerry.

Problemet me ligjin për Haroon Ullah rrodhën nga udhëtimet e shumta gjatë 18 muajve që ai punoi me USAGM. Sipas dokumenteve të gjykatës, Ullah pranoi se kishte dorëzuar për rimbursim fatura të fallsifikuara për hotele, taksi dhe udhëtime përsonale.

Ndërsa pjestarë të familjes së tij ishin ulur në rreshtin e dytë në gjykatë Ullah mori fjalën duke shprehur pendim për veprimet e tij kriminale. Ai u përlot në një moment ndërsa u përpoq të shpjegohej para nënës së tij.

“Humba rrugën”, tha ai. “Humba busullën e moralit tim”.

Në një intervistë, Schamel tha se “qëllimi jetësor për Haroon Ullah është gjetja e një mënyre për ta bërë Amerikën më të sigurtë dhe për ndaluar radikalizimin e njerëzve në Amerikë.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG