Lidhje

Pritet vendimi mbi kërkesën për dëshmi ndaj ish-këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë


Një gjykatëse federale amerikane pritet të japë të hënën vendimin lidhur me një padi të depozituar nga Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve, për të detyruar ish-këshilltarin ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn që të dëshmojë në hetimin për procesin për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump.

Komisioni juridik fillimisht kërkuar që zoti McGahn të dëshmonte në lidhje me hetimin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe akuzat se zoti Trump kishte penguar drejtësinë, me përpjekjet për të ndalur hetimin.

Komisioni argumentoi në padinë e depozituar javën e kaluar se është bërë edhe më urgjente dëshmia e zotit McGahn, pas seancave publike të mbajtura nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin lidhur me akuzat se zoti Trump i kishte bërë presion Ukrainës për të hetuar rivalin e tij demokrat, Joe Biden.

Gjykatësja Ketanji Brown Jackson e qarkut të Uashingtonit, tha se do ta nxirrte vendimin brenda të hënës.

Zoti McGahn është njëri nga zyrtarët e administratës së presidentit Trump që kanë shpërfillur thirrjet e komisioneve të kongresit për të dëshmuar, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka thënë se ata kanë imunitet ndaj detyrimit për ta bërë një gjë të tillë.

Zyrtarë të tjerë të lartë që kanë refuzuar janë, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton dhe shefi i personelit, Mick Mulvaney.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG