Lidhje

Raporti europian i drogës: Shqipëria prodhuese kryesore e kanabisit


kanabis

“Shqipëria për disa vite ka qenë një prodhues kryesor i kanabisit bimor të destinuar për tregun europian”, vlerëson Raporti i vitit 2019 për tregun e drogës në vendet e BE-së, i publikuar të martën nga “Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Droga” dhe “EUROPOL”.

Raporti pohon se “në përgjigje të kultivimit në shkallë të gjerë në natyrë të kanabisit bimor, autoritetet shqiptare kanë intesifikuar veprimet në bashkëpunim me “Guardia di Finanza” italiane, e cila ka kryer mbikëqyrje ajrore për të gjetur vatrat e kultivimit të kanabisit në zona të largëta dhe të vështira për t'u arritur në territorin shqiptar”. Sipas raportit, i cili i referohet të dhënave nga policia shqiptare “rreth 5205 zona të kultivimit të kanabisit u shkatërrruan në 2016, rreth 500 në 2017 dhe rreth 379 në 2018”. Raporti vlerëson se “pavarësisht përpjekjeve për zbatimin e ligjit dhe zvogëlimit të dukshëm të prodhimit në natyrë, shumë vende në Evropë raportuan një rritje të konfiskimeve të kanabisit bimor shqiptar, në vitin 2017”. Raporti përmend në këto vende Austrinë, Kroacinë, Greqinë, Hungarinë, Italinë, Rumaninë, Suedinë, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Sipas raportit, Shqipëria sekuestroi mbi 30 tonë kanabis bimor në 2016 dhe më shumë se 78 ton në 2017.

Raporti e shpjegon uljen nga njëra anë të sipërfaqeve të kultivimit të kanabisiti në natyrë, dhe trafikut nga ana tjetër të sasive të vazhdueshme të kanabisit nga rajoni në vendet e BE-së me rezerva të lëndës narkotike që mbahen në rajon, ose me disa kultivime që nuk është mundur të mbikqyren nga mjetet ajrore. Autorët e raportit sugjerojnë se duhet një hetim dhe monitorim i mëtejshëm i këtij problemi. Raporti i refereohet edhe të dhpnave të "Europolit", që theksojnë se prodhimi i kanabisit bimor po rritet edhe në disa shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe ka destinacion pjesërisht tregun e vendeve të BE-së.

Sipas Raportit “kanabisi bimor i prodhuar në Ballkanin Perëndimor trafikohet gjithnjë e më shumë në vendet e BE-së përmes mjeteve të lundrimit që kalojnë Detin Adriatik drejt Italisë dhe kufirin tokësor në të ashtuquajturën “Rruga e Ballkanit”. Raporti e sheh Shqipërinë edhe si pjesë të “Rrugës Ballkanike” të trafikimit të heroinës, e cila hyn nga kufiri grek dhe kalon përmes zonave shqiptare drejt Italisë përmes transporti detar apo porteve. “Për shumë vite, grupet e krimit të organizuar shqiptar janë identifikuar se janë të përfshira në furnizimin dhe shpërndarjen e heroinës në vendet e BE, duke kontrolluar seksionet e rrugës Ballkanike”, thotë raporti. “Grupet kriminale shqiptare si dhe grupet serbe dhe bullgare, thuhet në Raport porosisin heroinë nga grupet kriminale turke dhe bashkëpunojnë me grupe të tjera të krimit me bazë në vendet e BE- së” .

Edhe me trafikun e kokainës në Europë raporti vlereson rritjen e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare. “Organizatat kolumbiane dhe italiane historikisht luajtën një rol qendror në prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës, por grupet e tjera po bëhen më domethënëse, duke përfshirë grupet kriminale shqiptare, britanike, holandeze, frënge, irlandeze, marokene, serbe, spanjolle dhe turke, duke rezultuar në konkurrencë të rritur”, thuhet në raport.

Raporti Europian i Tregut të Drogës 2019 përfshin këtë vit edhe një studim mbi organizatat kriminale shqiptare të cilat vlerësohet se kanë fituar kohët e fundit më shumë peshë jo vetëm në furnizimin me kanabis të tregut europian por edhe në kontrollin e pjesëve të trafikut të llojeve të forta të drogës si heroinë dhe kokainë në vendet e BE-së. Studimi vlerëson se organizatat kriminale shqiptare kanë arritur importimin direkt të Kokainës nga vendet e Amerikës Latine dhe po zënë gjithnjë e më shumë pjesë të rëndësishme të tregut të shpërndarjes në disa vende europiane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG