Lidhje

SHBA, shpjegime kundërthënëse mbi shkarkimin e Sekretarit të Marinës


Presidenti amerikan Donald Trump të hënën ofroi një shpjegim kundërthënës mbi ndryshimet e udhëheqjes në Pentagon, ndërsa mbrojti vendimin e tij për të ndërhyrë në emër të një anëtari të forcave Speciale të marinës (Navy Seal), të dënuar për shkelje të rregullave në fushëbetejë gjatë luftës kundër grupit terrorist Shteti Islamik në Irak.

I pyetur në lidhje me shkarkimin të dielën të Sekretarit të Marinës amerikane, Richard Spencer, Presidenti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, "Ne kemi menduar për këtë për një kohë të gjatë."

"Kjo nuk ishte një rastësi," shtoi ai gjatë një paraqitje në Zyrën Ovale me kryeministrin bullgar. "Unë duhet të mbroj luftëtarët e mi."

Presidenti Trump mbrojti edhe vendimin e Sekretarit të Mbrojtjes Mark Esper për anulimin një seance dëgjimi të bordit për shqyrtimin e rastit të oficerit të marinës, Edward Gallagher.

Edward Gallagher, anëtar i forcave speciale të marinës amerikane
Edward Gallagher, anëtar i forcave speciale të marinës amerikane

Një juri ushtarake në fillim të këtij viti e liroi oficerin Gallagher nga akuzat për vrasjen e një luftëtari të plagosur të grupit terrorist Shteti Islamik gjatë misionit të tij në Irak në vitin 2017. Por, ai u shpall fajtor për pozimin me trupin e vdekur të luftëtarit dhe humbi rangun e tij ushtarak.

Në fillim të këtij muaji, Presidenti Trump ndërhyri, duke rikthyer rangun dhe pagën e oficerit Gallagher. Por disa zyrtarë të Marinës, përfshirë Sekretarin Richard Spencer, kishin thënë se Gallagher do të duhej të paraqitej para një bordi shqyrtues, i cili do të vendoste nëse ai akoma mund të mbaronte shërbimin duke mbajtur gradën ushtarake dhe statusin e anëtarit të njesisë elitare.

"Ata donin t’ia hiqnin stemën ushtarake, dhe unë i thashë:" Jo", u tha presidenti të hënën gazetarëve, duke e quajtur oficerin Gallagher një " djalë të fortë" dhe "një nga luftëtarët më të përkryer".

Disa orë më parë, Esper mbrojti urdhrin e Presidentit Trumpit për të ndërprerë seancën e bordit shqyrtues për oficerin Gallagher.

"Presidenti është komandant i përgjithshëm. Ai ka të drejtë, autoritet dhe privilegj të bëjë atë që dëshiron të bëjë", u tha Esper gazetarëve në Pentagon.

Mark Esper, Sekretar i Mbrojtes
Mark Esper, Sekretar i Mbrojtes

Por, rrëfimi i Sekretarit të Mbrojtjes, Esper për ngjarjet që çuan në shkarkimin e zotit Spencer nga posit i Sekretarit të Marinës duket se ndryshon nga karakterizimi i Presidentit Trump se shkarkimi ishte marrë në konsideratë "për një kohë të gjatë".

Në mënyrë të veçantë, Esper pretendoi se pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë të Premten kishte mësuar se Sekretari Spencer kishte vepruar pas shpinës së tij dhe ishte përpjekur të bënte një marrëveshje në lidhje me çështjen e oficerit Gallagher me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

"Ne mësuam se disa ditë më parë Sekretari Spencer kishte propozuar një marrëveshje, sipas të cilës nëse Presidenti lejonte Marinën të merrej me këtë çështje, ai [Spencer] do të garantonte që oficerit Eddie Gallagher do t’i rikthehej grada ushtarake dhe do të lejohej të dilte ne pension me të njejtën gradë ushtarake që kishte para incidentit," u tha zoti Esper gazetarëve.

"Unë fola me Presidentin të shtunën vonë, e njoftova atë se unë kam humbur besimin tek Sekretari Spencer dhe kërkova dorëheqjen e tij. Presidenti e mbështeti këtë vendim", shtoi sekretari i mbrojtjes.

Shtëpia e Bardhë të hënën vonë insistoi se nuk kishte dallime mes versionit të Presidentit dhe atij të Pentagonit për ngjarjen.

"Të dyja këto gjëra janë të vërteta," tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham për Zërit të Amerikës, në lidhje me pohimin e Presidentit Trump se kishte pasur plane për të shkarkuar Sekretarin Spencer para veprimeve të tij në lidhje me çështjen Gallagher.

Stephanie Grisham, Zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë
Stephanie Grisham, Zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë

Megjithatë mbeten mospërputhje të tjera në lidhje me zhvillimet rreth kësaj ngjarje.

Esper të hënën këmbënguli se Spencer kishte kërcënuar se do të jepte dorëheqje.

"Sekretari Spencer më kishte thënë që ... ai ka të ngjarë, me siguri do të dorëhiqej nëse do të detyrohej t’ia rikthente gradën ushtarake [oficerit Gallagher]", tha Esper. "Unë i besova fjalëve të tij dhe se ato ishin një kërcënim për të dhënë dorëheqjen."

"Unë nuk mund të bashkërendojë deklaratat personale me ato publike dhe të shkruara," shtoi sekretari i mbrojtjes, duke mbrojtur më tej vendimin e tij për ta shkarkuar Sekretarin e Marinës, Richard Spencer.

Në një intervistë të hënën vonë me kanalin televiziv CBS, e para pas shkarkimit, zoti Spencer tha se ai nuk kishte bërë kërcënime të tilla.

"Asnjëherë nuk kam kërcënuar të jap dorëheqjen," tha ai. "Unë u pushova nga puna."

Sidoqoftë, ish sekretari i Marinës pranoi se ai i ishte afruar Shtëpisë së Bardhë në lidhje me një marrëveshje që do t'i lejonte oficerit Gallagher

të pensionohej në uniformë, rezultati që dëshironte Presidenti, nëse Presidenti pranonte të mos ndërhynte.

"Për të ruajtur qëndrueshmërinë e institucionit të Marinës, unë duhet të bëja diçka," tha zoti Spencer për kanalin CBS, duke pranuar se nuk e kishte informuar Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esperin për këtë veprim në atë kohë.

Por, zoti Spencer tha se atij iu tha shpejt se propozimi i tij nuk ishte i pranueshëm.

Në letrën ku ai pranonte shkarkimin e tij të dielën, Spencer tha se ai nuk mund t'i përmbahej dëshirës së Presidentit për të anashkaluar procesin e bordit shqyrtues siç kërkohet nga sistemi i drejtësisë ushtarake.

"Sundimi i ligjit është ajo që na ndan nga kundërshtarët tanë," shkroi ai. "Me ndërgjegje të mirë nuk mund t'i bindem një urdhri që besoj se shkel betimin e shenjtë që bëra në prani të familjes, flamurit tim dhe besimit tim për të mbështetur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara."

"Çfarë mesazhi u dërgon kjo trupave tona?", Spencer i tha kanalit CBS-së për ndërhyrjen e Presidentit, duke u përgjigjur, "Që të mund t’i shmangesh pasojave."

Tashmë, ndërhyrja e presidentit në çështjen Gallagher dhe shkarkimin e Sekretarit të Marinës ka nxitur disa ligjvënës demokratë të kërkojnë një hetim të çështjes.

"Gjatë gjithë punës time me Sekretarin Spencer, unë e kam njohur atë si një njeri të mirë, një patriot amerikan dhe një udhëheqës efektiv," tha në një deklaratë të hënën, Senatori demokrat Tim Kaine, anëtar i Komisionit të Senatatit për Forcat e Armatosura.

"Ne kemi shumë pyetje pa përgjigje," tha senatori Kaine, duke e quajtur zotin Spencer një nga disa zyrtarë që "i shërbyen vendit tonë edhe pse duhej të punonte nën një komandant të përgjithshëm joetik."

"Ne po punojmë në mbledhjen e fakteve," tha senatori demokrat, Jack Reed, në një deklaratë të veçantë. "Është e qartë se dorëheqja e detyruar e zotit Spencer është një tjetër pasojë e rrëmujës të rezultuar nga përfshirja e papërshtatshme e Presidentit Trump në sistemin e drejtësisë ushtarake dhe rrëmujës dhe mosfunksionimit që ka qenë një prani e vazhdueshme në këtë administratë."

Por kryetari i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, senatori republikan Jim Inhofe, tha të dielën vonë se ai ishte gati për vazhduar diskutimet për gjëra të tjera.

Presidenti dhe sekretari i mbrojtjes "meritojnë të kenë një ekip udhëheqës i cili ka besimin e tyre," tha Inhofe, duke pranuar, "Nuk është sekret se kam pasur mosmarrëveshjet e mia me Sekretarin Spencer për menaxhimin e programeve specifike të Marinës."

Presidenti Trump ka emëruar zotin Ken Braithwaite, një ish admiral dhe ambasador aktual i Shteteve të Bashkuara në Norvegji, në postin e Sekretarit të ri të Marinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG