Lidhje

Shqipëri, rëndohet bilanci i viktimave, arrin në 47


Në Shqipëri numri i viktimave të shkaktuara nga tërmeti i që goditi vendin të martën vijon të rritet, duke arritur në 47 persona që kanë humbur jetën. Mes viktimave deri tani janë 7 fëmijë, dhe 19 gra. Ndërsa ende nuk ka një bilanc të dëmeve material, lëkundjet e herëpashershme, shpesh dhe të forta, vazhdojnë të mbajnë gjallë frikën. Deri në mesditë janë rregjistruar mbi 830 të tilla

Operacionet e kërkimit që vijuan gjatë gjithë natës dhe ditës së sotme në Thumanë e Durrës, e rëduan dhe më tej bilancin e dhimbshëm të viktimave. Të patën 12 trupa u nxorrën nga rrënojat e pallateve dhe banesave të shembura plotësisht. Në Thumanë, ku u shënuan 23 të vdekur, tani nuk ka më për cfarë të kërkohet. Në Durrës, numri arriti po ashtu në 23, pasi pasdite vonë, nga vila tre katëshe e vëllezërve Lalaj, u nxorrën trupat e një nëne dhe tre fëmijëve të saj. Përpjekje për nxjerrjen e trupave të tjerë vijojnë. Ndërsa qyteti përcolli familjen Reçi, e tëra e shuar, me katër anëtarët, prindërit dhe dy fëmijët e rritur, që mbetën nën rrënojat e pallatit ku banonin.

Sikur të mos mjaftonte goditja e fortë e të martës, lëkundjet e e shumta, të një magnitude deri në 5 gradë, i shtohen gjendjes së ankthit dhe pasigurisë. Pak para mesditës së sotme, një pasgoditje e fuqishme, riktheu panikun veçanërisht në Durrës. Brenda pak minutash, në dalje të qytetit u krijuan radhë makinash që largoheshin nga qyteti. Ndërsa në spital, paniku preku dhe pacientët që dolën me vrap nga godina, ku janë të dukshme plasaritjet e shkaktuara nga tërmeti i të martës në mëngjes. Lëkundjet u ndjenë të forta dhe në Tiranë, ku njerëzit u derdhën sërish në rrugë.

Ndërsa e gjithë vëmendja këto ditë ka qenë e përqëndruar në operacionet e kërkim shpëtimit, ende nuk ka një bilanc të vlerësimit të dëmeve që dukshëm pritet të jenë të përmasave të mëdha. “Eshtë momenti për të intensifikuar kontrollet fizike të banesave, të godinave dhe për të ndërtuar të gjithë inventarin e gjendjes së tyre fizike e nivelit të sigurisë, apo të rrezikshmërisë së tyre. Komiteti Kombëtar i Ndërtimit, i cili faktikisht është krijuar qysh nga dje, është në fazën fillestare të punës”, u shpreh sot kryeministri Edi Rama.

Në mbledhjen e Qeverisë, ai kërkoi angazhimin me inxhinierë dhe ekspertë edhe nga sektori privat, si dhe nga ana tjetër, nisjen e punës për planet e rindërtimit të zonave të prekura, të cilat do të kërkojnë jo vetëm kohë por me siguri dhe financime të mëdha. Për këtë arsye edhe sot kryeministri përsëriti organizimn e disa konferencave donatorësh: “Ne po përgatitemi për një konferencë donatorësh të gjithë zonës shqipfolëse duke përfshirë padyshim si dy shtylla kryesore sipërmarrjen në Shqipëri dhe në Kosovë. Prandaj i drejtoj një lutje mirëkuptimi të gjithë atyre që nuk po kursehen që ta dinë këtë dhe të na përgjigjen në momentin kur do na duhet të ulemi dhe të diskutojmë për çfarë mund të bëjë secili. Sepse në këto kushte është tejet e rëndësishme që gjithkush të bëjë atë që mundet. Është e mirëpritur edhe fantastike që gjithkush të sjellë atë që ka mundësi, por po ashtu është e domosdoshme që të mendojmë dhe funksionojmë duke parë dhe tërësinë, në mënyrë që gjërat të bëhen sa më mirë dhe duke krijuar kushtet e racionalizmit të këtij procesi"

Zoti Rama kërkoi dhe një koordinim më të mirë të ndihmave të shumta që po vijnë nga shumë drejtime, në mënyrë që të kanalizohen përmes strukturave të Emergjencave civile e për të shmangur qoftë dhe që vecanërisht ato në ushqime të shkojnë dëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG