Lidhje

Londër, dy të vdekur nga plagët në sulmin me thikë


Policia në Londër njoftoi se dy persona të goditur me thikë të premten në Urën e Londrës, kanë humbur jetën nga plagët.

Shefja e policisë Metropolitane, Cressida Dick, tha se “tragjikisht”, dy pjesëtarë të publikut humbën jetën në sulmin e së premtes.

Tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë sulmit që policia e cilësoi si terrorist.

Disa kalimtarë ju kundërvunë të dyshuarit të cilin e rrëzuan përtokë dhe i hoqën thikën nga duart. Në një video të postuar në rrjetet sociale shihet se si policia po tërhiqte një burrë nga i dyshuari përpara se një oficer të merrte në shenjë. Dy të shtëna dëgjohen në regjistrim

Sulmuesi kishte një jelek që dukej të ishte një pajisje e rreme eksplozive.

Burri ishte një ish i burgosur i dënuar për vepra që lidheshin me terrorizmin. Policia tha se ai ishte Usman Khan, 28 vjeç dhe ndodhej ashtë burgut me leje në kohën kur kreu sulmin.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, falënderoi “shërbimet e urgjencës dhe pjesëtarët e publikut për trimërinë e tyre të jashtëzakonshme në reagimin ndaj këtij sulmi të dyshuar terrorist në Urën e Londrës. Ky është një incident i tmerrshëm dhe të gjitha mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre”, shkroi ai.

Udhëheqësi i Laburistëve, Jeremy Corbyn, tha se incidenti ishte “një sulm mbi të gjithë ne”, ndërsa pezulloi fushatën e tij për zgjedhjet e 12 dhjetorit që mbahen në Mbretërinë e Bashkuar.

Në Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë ku thuhej se presidenti Donald Trump ishte njoftuar dhe po ndiqte situatën.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, Ura e Londrës ishte skenë e një sulmi kur tre militantë përplasën një furgon mbi këmbësorët dhe më pas sulmuan njerëzi në zonën përreth, duke vrarë tetë dhe duke plagosur të paktën 48 të tjerë.

Grupi militant Shteti Islamik, tha atëbotë se luftëtarët e tij ishin përgjegjës, por autoritetet britanike hodhën dyshime mbi ato pretendime.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG