Lidhje

Hartimi i akuzave për Presidentin Trump


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi deklaroi zyrtarisht të enjten se ligjvënësit demokratë do të fillojnë hartimin e akuzave me qëllim shkarkimin e Presidentit Donald Trump nga detyra. Ai do të bëhet kështu presidenti i katërt në historinë amerikane që do të përballet me akuza zyrtare për shkarkim. Ndërsa po intensifikohet beteja për shkarkimin, të dyja palët janë duke ndjekur me vëmendje anketat e opinionit publik. Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi bëri njoftimin historik në Kapitol.

“Me besnikëri ndaj themeluesve dhe me një zemër plot dashuri për Amerikën, sot po kërkoj fillimin e hartimit të akuzave”, njoftoi zonja Pelosi.

Lëvizja vjen pas disa javësh seancash dëgjimore me aludime se presidenti abuzoi me pushtetin duke i bërë presion Ukrainës për të shpallur një hetim ndaj rivalit të tij politik Joe Biden, sfidantin kryesor demokrat.

“Është në rrezik vetë demokracia jonë. Presidenti nuk na lë zgjidhje tjetër përveçse të veprojmë; ai po përpiqet të korruptojë sërish zgjedhjet në favor të tij”, tha zonja Pelosi.

Republikanët vazhdojnë të mbrojnë besnikërisht presidentin, ndër ta edhe kreu i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

“Kjo është një ditë kur vendi është më i dobët; nuk mundet të vënë armiqësinë, apo frikën e tyre se do të humbasin zgjedhjet, përpara gjithçkaje tjetër që dëshiron populli amerikan”, tha Ligjvënësi McCarthy.

Presidenti Trump është kthyer nga samiti i NATO-s, nga ku vazhdoi të sulmojë procesin hetimor.

“Rrengu i shkarkimit nuk do nxjerrë asgjë. Partia Republikane nuk ka qenë kurrë më e bashkuar se tani. Nuk e kam parë kështu ndonjëherë më parë”, tha Presidenti Trump.

Mbështetja publike për procesin hetimor dhe shkarkimin e Presidentit Trump është rritur që nga muaji shtator dhe ka qëndruar tek kuota rreth 50%.

Në përgjithësi, vendi mbetet i ndarë nëse duhet hequr apo jo presidenti nga detyra, me pikëpamje emocionale nga të dyja palët.

“Ai është fajtor. Duhet hequr. Duhej hequr prej kohësh për gjithçka që ka bërë”, thotë Ron, votues kundër Presidentit Trump.

“Jam kundër shkarkimit. Mendoj se është qesharake. I janë qepur që përpara se të inaugurohej president”, thotë Ted, votues pro Presidentit Trump.

Analistët, si eksperti i Universitetit Vanderbilt Thomas Schwartz, vënë në dukje se javët e fundit të dëgjesave publike nuk kanë arritur shumë për të zhvendosur opinionin publik.

“Kam vënë re se nuk ka një ndryshim real të dukshëm në anketimet e opinionit publik, për sa i përket nivelit të miratimit të punës së presidentit. Pra, nuk duket se ka lëvizur ndopak gjilpërën në nivelin e përgjithshëm”, thotë zoti Schwartz.

Në vitin 1974, Presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen nga detyra pasi republikanët e braktisën për çështjen e skandalit Watergate.

Por, për shkak të polarizimit të thellë politik në Shtetet e Bashkuara, sot është e vështirë ngritja e një konsensusi dypartiak.

“Pra, është një epokë shumë e polarizuar. Një tjetër dallim me Niksonin është se tashmë kemi polarizuar edhe rrjetet televizive. Pra, jo të gjithë besojnë të njëjtat fakte. Publiku është i ndarë për faktet, dhe ky është një problem shumë serioz”, thotë Susan Low Bloch, e Universitetit Georgetown.

Demokratët synojnë t’i votojnë akuzat në Dhomën e Përfaqësuesve përpara fundit të vitit.

Kjo do të pasohet nga një proces gjyqësor në Senatin me shumicë republikane, ku duhen 2/3-tat e votave për shkarkimin nga detyra – shanset për të cilën analistët thonë se nuk janë të shumta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG