Lidhje

Zgjidhja e problemit të mbeturinave ushqimore


Sipas një studimi të OKB-së, bota prodhon mbetje ushqimore të mjaftueshme për të ushqyer deri në 2 miliardë njerëz çdo vit. Një kompani e re teknologjike synon t’ua dërgojë këtë ushqim njerëzve në nevojë.

Në ishullin e Gjirit të San Françiskos, një kompani e vogël po zbulon pa zhurmë zgjidhjen për një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi: të ardhmen e ushqimit në një epokë ndryshimesh klimatike dhe mbetjesh masive.

Ata i përqasen problemit nga pikëpamja teknologjike.

“Po përpiqemi të udhëheqim një revolucion burimesh, një ndryshim të të menduarit, nga mbeturinat drejt rigjenerimit”, thotë Timothy Childs, bashkëdrejtues në kompaninë “Treasure8”.

Timothy Childs është ndër pionerët e realitetit virtual që ka zhvilluar paisjet e NASA-s. Ai mendon se trajtimi i krizës së ushqimit kërkon shqyrtimin e problemit në mënyrë novatore.

“Duhet parë gjithë sistemi, nga pika e hyrjes, deri në pikën e daljes, dhe të revolucionarizojmë çdo pjesë të tij. Pastaj duhet t’ia japim këtë zgjidhje të gjitha tregjeve ku ekzistojnë mbeturinat”, thotë zoti Childs.

Objektivi i tij fillestar janë frutat dhe perimet që deri më tani lihen të kalben.

“Sistemet e avancuara të tharjes do të na mundësojnë të përpunojmë produkte të shumëllojshme bujqësore dhe ta transformojmë të gjithë sistemin e ushqimit, duke e bërë më të shpejtë dhe me përmbajtje më të lartë vlerash ushqimore se sistemet e deritanishme”, thotë zoti Childs.

Mollët jo shumë të paraqitshme janë duke u përpunuar tashmë nga makina tharëse dhe do të bëhen pjesë e linjës së produkteve të quajtur “Ground Rules”.

Dhe ky është vetëm fillimi.

“Kompania jonë nxjerr me shpejtësi prototipin, e teston dhe pastaj e nxjerr e para në treg”, thotë zoti Childs.

Ata po shqyrtojnë çdo hap të zinxhirit ushqimor.

“Një pjesë konvertohet në energji për të furnizuar paisjet me të cilat trajtojmë ushqimet. Ajo çfarë mbetet shkon sërish në tokë”, thotë Derk Hendriksen, bashkëdrejtues i kompanisë “Treasure8”.

Ata synojnë t’i përhapin këto sisteme në mbarë globin. Por fillimisht, gjithçka simulohet.

“Projektojmë godina, procese dhe paisje në kompjuter dhe i testojmë përmes realitetit virtual”, thotë zoti Childs.

Nga ky realitet virtual dalin produkte me shije të shkëlqyer.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG