Lidhje

Ngrohja globale kërcënon brezat koralorë në Havai


Breza shkëmborë të Havait janë strehë për koloni magjepsëse peshqish e koralesh, por këto gjallesa po kalojnë vështirësi nga rritja e temperaturave në oqeane. Një valë të nxehti katër vjet më parë dëmtoi brezat koralorë. Tani shkencëtarët po përdorin zhytjet nënujore dhe satelitët për të studiuar gjallesat detare që të gjejnë mënyra për t’i mbrojtur:

Në ekran shihen zona me ngjyra të ndezura që tregojnë se brezat koralorë janë në rrezik. Ngjyrat e ndezura nënkuptojnë temperatura të larta që mund të sjellin shkatërrimin e këtij brezi.

Polombarët shohin shenja të zbardhjes së brezave koralorë në ujërat e ishujve Havai.

Këto breza koralorë ende nuk e kanë kapërcyer plotësisht dëmin e temperaturave të larta në oqean katër vjet më parë.

Shkencëtarët po studiojnë ekosistemet për të gjetur mënyra për mbrojtjen e brezave koralorë. Në këto përpjekje mund t’i ndihmojë lidhja e të dhënave nga vëzhgimet oqeanike me informatat satelitore:

"Sa herë realizojmë zhytje bëjmë një prezantim të vogël me situatën. E rëndësishme është se po bëjmë matje dhe po i krahasojmë këto të dhëna me informatat nga ajri si dhe nga satelitët. Ideja është që të krijojmë një pasqyrë të madhe të situatës që të kuptojmë këtë realitet,” thotë ekologu Greg Asner.

Ekspertët thonë se brezat koralorë të Havait kanë rëndësi kritike. Ato tërheqin turistë në këto ishuj të largët, duke ndihmuar ekonominë e Havait, gjithashtu ndihmojnë për të mbrojtur brigjet nga dëmi që shkaktojnë dallgët dhe përmbytjet. Në këto shkëmbinj gjejnë strehim një e katërta e specieve detare, megjithëse kjo është një zonë e vogël oqeanike.

Brezat koralorë janë ekosistemi më i larmishëm detar në planetin tonë, thotë oqeanografi Jamison Gove.

"Koralet strehojnë shumë lloje peshqish që janë të rëndësishëm për funksionimin e ekosistemit. Peshku mban komunitetin lokal dhe ndihmon ekonominë përmes turizmit apo peshkimit komercial”.

Një brez koralor i shëndetshëm është i magjishëm. Shkencëtarët shqetësohen se me ngrohjen e ujërave Havai do të humbasë këtë pjesë të mrekullueshme të natyrës së tij dhe shumë specie peshqish do të rrezikohen.

Kërkuesit dhe polombarët kanë vërejtur shenja të zbardhjes së brezave koralorë. Ata u kërkojnë vizitorëve të mos rrezikojnë koralet duke i prekur, apo duke përdorur krem dielli të dëmshëm për ekosistemin, ose duke kapur peshq që ndikojnë tek mbijetesa e koraleve.

“Megjithëse situata është shqetësuese ka vend për shpresë. Në Havai e në pika të tjera të globit gjejmë korale që u rimëkëmbën pas problemeve që shkaktuan zbardhjen e shkëmbinjve. Edhe këtë radhë do të ketë korale që do të rimëkëmben. Sa më shumë të përpiqemi për ta penguar procesin e zbardhjes së shkëmbinjve në shkallë lokale e globale, aq më shumë shans mbijetese u japim koraleve,” thotë oqeanografi Gove.

Ekspertët thonë se mbrojtja e shkëmbinjve koralorë do të vazhdojë të jetë sfidë madhore e krijuar nga ndryshimet klimatike e ngrohja e oqeaneve. Shkancëtarët paralajmërojmë se nëse nuk merren masa për reduktimin e gazeve ndotëse, zbardhja e shkëmbinjve koralorë mund të bëhet një fenomen i përvitshëm brenda këtij shekulli.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG