Lidhje

Përmirësime në transportin publik të Francës, vazhdojnë protestat


Në Francë, fillimi i javës së katërt të grevave në transportin publik erdhi me disa përmirësime modeste të hënën në Paris, ku pati më pak linja të mbyllura të metrosë.

Grevat kundër planeve të qeverisë për të reformuar sistemin e pensioneve vazhdojnë të shkaktojnë çrregullime serioze për përdoruesit e rrjetit hekurudhor me shpejtësi të lartë, ku rreth gjysma e trenave janë vënë jashtë shërbimit.

Por për udhëtarët e rajonit të Parisit, të cilët janë goditur rëndë nga grevat që nga 5 dhjetori, periudha pas pushimeve të Krishtëlindjes ka sjellë një rreze shprese.

Të hënën, vetëm dy linja metroje mbetën plotësisht të mbyllura, krahasuar me pesë që u mbyllën të premten.

Çrregullimet e transportit publik janë më të mëdha se ato të vitit 1995, duke vënë në provë planet e Presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit të plotë nga 62 në 64 vjeç. Zoti Macron argumenton se reforma do ta bënte sistemin e pensioneve më të drejtë dhe do ta lehtësonte nga borxhet.

Ministri i brendshëm Christophe Castaner këmbënguli të hënën se publiku francez dëshiron që qeveria të mos heqë dorë nga reforma e pensioneve. Vetë zoti Macron pritet ta trajtojë çështjen të martën në një fjalim televiziv me rastin e mbylljes së vitit.

XS
SM
MD
LG