Lidhje

Ambasadori i ri amerikan në Rusi takohet me homologun e tij rus


Ambasadori i sapoemëruar amerikan në Rusi, John Sullivan u takua të hënën me homologun e tij rus, Anatoly Antonov, në Uashington.

"Palët shkëmbyen mendime mbi statusin aktual dhe zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve ruso-amerikane", tha ambasada ruse në një deklaratë pas takimit të 30 dhjetorit.

Sullivan, i cili ka shërbyer në dy administratat e mëparshme dhe është një aleat i ngushtë i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo, u konfirmua nga Senati në 12 dhjetor. Ai u betua në 23 dhjetor.

Sullivan, si nënsekretar i Shtetit në administratën e Presidentit Donald Trump, është përfshirë në zhvillimin e politikës amerikane për Rusinë, ka udhëhequr bisedime kundër terrorizmit me Moskën në korrik, dhe është përfshirë në rifillimin e negociatave për një gamë të gjerë të çështjeve të sigurisë.

Ai gjithashtu shërbeu shkurtimisht si ushtrues detyre i Sekretarit të Shtetit pas dorëheqjes së zotit Rex Tillerson në pranverën e vitit 2018. Si ambasador, Sullivan pason Jon Huntsman Jr., i cili dha dorëheqjen në gusht.

Gjatë seancës së tij të konfirmimit në dhjetor, Sullivan tha se "marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara me Rusinë ka arritur në periudhën e tërheqjes pas Luftës së Ftohtë", dhe renditi një numër shembujsh të "veprimeve të Rusisë" që kanë tensionuar marrëdhëniet.

Midis tyre ai përmendi "përpjekjen për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe aleatëve tanë, duke shkelur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë, duke përdorur një armë të shkatërrimit në masë në një përpjekje për të vrarë qytetarët e saj jashtë vendit, duke shkelur Traktatin e INF-së dhe duke shkelur të drejtat themelore të njeriut".

Sidoqoftë, shtoi ai, "nevoja për një angazhim parimor me Rusinë është po aq e rëndësishme për interesin tonë kombëtar sa kurrë më parë".

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e ka cilësuar zotin Sullivan si "një diplomat shumë profesionist dhe me përvojë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG