Lidhje

Australi, rikthehen temperaturat e larta, rritet rreziku nga zjarret


Autoritetet në juglindje të Australisë u bënë thirrje banorëve të largohen për shkak të rikthimit të nxehtësisë ekstreme dhe erërave të forta që pritet të përkeqësojnë situatën e krijuar nga zjarret masive.

Ditën e premte temperaturat priten të rriten mbi 30 gradë Celsius, duke i dhënë fund shiut e temperaturave më të ulta që ofruan një lehtësim të përkohshëm për zjarrfikësit që luftojnë me flakët prej muajit shtator. Si pasojë e një thatësire tre-vjeçare rajoni është shndërruar në një tokë shkurresh të thata që kanë nxitur katastrofën.

Temperaturat në rritje kanë bërë që zyrtarët në shtetin Viktoria të zgjasin periudhën nën të cilën shteti do të jetë në emergjencë.

Mbi 200 vatra zjarri në të gjithë vendin kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 26 personave si dhe kanë shkatërruar rreth tetë milionë hektarë tokë e më shumë se 2 mijë shtëpi. Tymi i zjarreve ka mbuluar Sidnein e qytete të tjera për javë të tëra dhe ka mbërritur deri në Zelandën e Re apo Brazil.

Kryeministri Scott Morrison, i cili është përballur me kritika të forta mbi përgjigjen ndaj situatës, ka vënë në dispozicion një fond prej 1.4 miliardë dollarësh në ndihmë të banorëve, bizneseve e fermerëve.

Shkencëtarët thonë se nuk ka dyshim se ndryshimet klimatike të bëra nga njeriu kanë kontribuar në situatën tejet shkatërruese që kanë shkaktuar zjarret këtë vit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG