Lidhje

Rrëzimi i avionit ukrainas dhe pistat e hetimit


Zyrtarët e Ukrainës kanë pezulluar fluturimet me Iranin derisa të përcaktohet shkaku i rrëzimit të avionit ukrainas menjëherë pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar i Teheranit të mërkurën në mëngjes. Të 176 personat në bord humbën jetën. Autoritetet iraniane thonë se kanë gjetur kutitë e zeza të avionit, të cilat përmbajnë të dhënat e fluturimit dhe mund të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të rrëzimit.

Autoritetet ukrainase po ndjekin disa pista hetimi për shkaqet e rrëzimit të avionit, përfshirë mundësinë e një sulmi me raketë tokë-ajër, nuk kanë përjashtuar mundësinë e një akti terrorist, apo një difent teknik, sipas një zyrtari ukrainas.

Hetuesit iranianë thanë të enjten se ekuipazhi i avionit ukrainas që u rrëzua disa minuta pasi ngritjes nga aeroporti i Teheranit, ishte përpjekur të kthehej mbrapsht, dhe se piloti nuk pati komunikime për ndonjë problem.

Raporti fillestar nga Organizata Civile e Aviacionit të Iranit citoi gjithashtu dëshmitarët në tokë dhe në një avion në fluturim të kenë thënë se avioni i kompanisë ukrainase ishte përfshirë nga flakët para se të binte në tokë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e shpalli të enjten një ditë zie për 167 pasagjerët dhe nëntë anëtarë e ekuipazhit që humbën jetën.

Avioni i linjës ajrore të Ukrainës PS752 u rrëzua pak minuta pas ngritjes kur ishte në lartësinë prej rreth 2.500 metrash. Autoritetet iraniane thanë se kanë gjetur regjistruesin e zërit të kabinës dhe regjistruesit e të dhënave të fluturimeve nga avioni Boeing, por nuk do të ndajnë informacionin e marrë prej tyre me prodhuesin amerikan, Boeing.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se po i ndjek zhvillimet nga afër dhe është i përgatitur t'i ofrojë Ukrainë gjithë ndihmën e nevojshme. Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për bashkëpunim të plotë në të gjitha hetimet lidhur me shkakun e rrëzimit.

Ukraina po kërkon një hetim të plotë dhe të besueshëm.

"Sigurisht, ne do të kërkojmë që ky hetim të zhvillohet sa më transparent që të jetë e mundur. Kështu që duhet të përfshihen të gjitha organizatat ndërkombëtare / publike që mund të sigurojnë ose forcojnë besimin në këtë hetim", tha kryeministri ukrainas Oleksiy Honcharuk.

Autoritetet ukrainase kanë pezulluar të gjitha fluturimet me Iranin në pritje të hetimit.

Të 176 personat në bord humbën jetën. 82 ishin shtetas iranianë, 63 ishin kanadezë. Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se pret që vendi i tij të marrë pjesë në hetime.

"Kjo është sigurisht diçka që po e shohim me shumë seriozitet. Kanadaja është një nga pak vendet me një shkallë të lartë ekspertize kur bëhet fjalë për këto lloj aksidentesh dhe për këtë arsye ne kemi shumë për të kontribuar. Kam besim se me angazhimin tonë si përmes aleatëve edhe drejtpërdrejtë ne do të sigurohemi që të jemi një kontribues thelbësor në këtë hetim", tha kryeministri Trudeau.

Komuniteti iranian i Edmontonit në Kanada, humbi disa anëtarë, përfshirë një çift të ri të sapomartuar.

"Nuk kam fjalë. Është e tmerrshme. Ne humbëm rreth një përqind të tërë komunitetit tonë në atë fluturim. Njerëz që i njihja personalisht, shumë mirë. Çdo njëri nga anëtarët e komunitetit tonë u prek në një mënyrë ose në një tjetër nga ky aksident”, thotë Payman Parseyan.

Incidenti ndodhi vetëm disa orë pasi Irani hodhi një numër raketash mbi dy baza irakiane që strehonin trupa amerikane. Rrëzimi është një goditje e re për kompaninë Boeing, e cila u detyrua të pezullojë fluturimin e avionit të saj 737 Max në vitin 2019 pas dy përplasjeve fatale brenda pesë muajve nga njëri-tjetri që lanë 346 të vdekur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG