Gjykata e Lartë spanjolle refuzoi t’i njohë të enjten statusin e deputetit të Parlamentit Evropian Oriol Junqueras, një nga udhëheqësit e lëvizjes separatiste në Katalonjë, i cili prej muajit tetor ndodhet në burg lidhur me një përpjekje të dështuar për pavarësi të rajonit në vitin 2017.
Gjykata tha se nuk do të lejonte lirimin e përkohshëm të tij nga burgu për të marrë letrat kredenciale si anëtar i Parlamentin Evropian, duke refuzuar kështu një vendim të muajit dhjetor të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
Zoti Junqueras fitoi një vend në Parlamentin Evropian në zgjedhjet e muajit maj, pavarësisht se ndodhej në paraburgim i akuzuar mbi rolin e tij në një referendum për pavarësinë e Katalonjës të shpallur nga autoritetet spanjolle si i paligjshëm.
Ai nuk u lejua të dalë nga burgu në qershor për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit si deputet në Bruksel, gjë që e detyroi zotin Junqueras ta apelojë çështjen.
Muajin e kaluar në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë thuhej se Spanja duhej ta kishte lejuar zotin Junqueras të merrte letrat kredenciale, duke thënë se edhe eurodeputetët e burgosur përfitojnë nga imuniteti parlamentar.
Mbështetësit e pavarësisë së Katalonjës e përshëndetën vendimin si fitore.
Por si përgjigje ndaj vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Gjykata e Lartë spanjolle vendosi kundër lirimit të zotit Junqueras, çka nënkupton pezullimin e statusit të tij si anëtar i Parlamentar Evropian.
Gjykata beri të ditur se ia kishte komunikuar vendimin Parlamentin Evropian, si dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Spanjë.
Facebook Forum