Lidhje

Legalizohet marijuana në shtetin Illinoi


Shteti i Ilinoit po e fillon vitin 2020 me zbatimin e një ligji të ri që lejon njerëzit që të blejnë marijuanë për përdorim rekreativ. Ligji për legalizimin dhe taksimin e marijuanës i jep të drejtë guvernatorit të shtetit që të falë mijëra të dënuar në të kaluarën për shkelje të vogla në lidhje me kanabisin.

Në shtetin Ilinoi individët mbi 21 vjeç tani e tutje mund të blejnë ligjërisht marijuanë. Disa dyqane në Çikago u hapën menjëherë sapo ligji hyri në fuqi.

“Kam filmuar këtë moment historik, të pranimit të marijuanës si një aspekt kulturor. Është përparim, jo vetëm legalizimi por edhe fakti që jemi të vetëdijshëm rreth asaj që konsumojmë”, thotë klienti Dante Core.

Jackie Ryan thotë se është përdoruese e rregullt e marijuanës prej shumë vitesh dhe legalizimi është gjë e mirë.

“Është arritje e madhe. Përfundimisht Ilinoi po ndjek shtetet e tjera dhe është vërtetë mahnitëse.”

Guvernatori i Ilinoit dha një amnisti për 11 mijë të burgosur me dënime të nivelit të ulët për marijuanën, raundi i parë i një plani për lirimin e më shumë se 700 mijë të dënuarve.

Abigail Watkins punon në një nga dyqanet e reja të marijuanës.

“Jemi qyteti më i madh në zonën veriqendrore amerikane dhe tani kemi legalizuar kanabisin. Është si të luftosh stigmën dhe shpresojmë të kemi dëmshpërblime për njerëzit që janë ndikuar negativisht nga lufta kundër drogave dhe nga kriminalizimi i kanabisit.”

Ilinoi është shteti i 11 që legalizon marijuanën. 34 shtete dhe kryeqyteti amerikan lejojnë përdorimin e kanabisit për trajtim mjekësor. Por agjencia amerikane kundër drogës ende e cilëson marijuanën si substancë të rrezikshme së bashku me LSD dhe heroinën.

“Shpresoj se do të legalizohet në të gjithë vendin, ndryshe do të vendosem në Kanada”, thotë blerësi Brian Butler.

Një studim i kohëve të fundit nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve gjeti se shtetet që legalizojnë marijuanën për përdorim rekreativ kanë një ulje prej të paktën 20 përqind të vdekjeve që vijnë nga mbidozat me opioide.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG