Lidhje

Koronavirusi, flasin specialistët


Vendet në të gjithë botën, veçanërisht në Azi kanë filluar kontrollet e temperaturës së pasagjerëve në aeroporte, stacione hekurudhore dhe përgjatë autostradave, me qëllim identifikimin e njerëzve të infektuar me një virus të ri. Kjo vjen ndërsa miliona njerëz fillojnë udhëtimet për të festuar Vitin e Ri Kinez. Shkencëtarët gjermanë kanë zhvilluar një mënyrë për të diagnostikuar virusin e ri i cili u shfaq fillimisht në qytetin kinez Uhan dhe ka prekur më shumë se 290 njerëz.

Në prag të Vitit të Ri Kinez, përhapja e një virusi të ri të rrugëve të frymëmarrjes është një lajm i keq për miliona njerëz në mbarë Azinë.

Zyrtarët e shëndetësisë në mbarë botën po vëzhgojnë për mbartësit e koronavirusit të ri.

Raste janë raportuar në Japoni, Tajlandë, Tajvan, Australi dhe në shtetin Uashington të SHBA-së. Konfirmimi se virusi po përhapet mes njerëzve ka shtuar frikën.

Reagimi i shpejtë botëror ka për qëllim parandalimin e një përsëritje të shpërthimit të virusit SARS në vitet 2002-2003, një koronoavirus tjetër që filloi në Kinë dhe shkaktoi vdekjen e afro 800 njerëzve.

Organizata Botërore e Shëndetit ka njoftuar se do të takohet në Gjenevë për të diskutuar nëse shpërthimi është një emergjencë ndërkombëtare e shëndetit publik dhe si ta menaxhojë situatën.

Koronaviruset janë një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje duke filluar nga gripi i zakonshëm e deri te sëmundjet më të rënda siç janë Sindroma e frymëmarrjes (MERS) dhe Sindroma Akute e Rëndë e Frymëmarrjes (SARS).

Dr. Nathalie MacDermott është specialiste e sëmundjeve infektive në universitetin Kings College në Londër.

"Koronavirusi është një lloj virusi që e merr emrin për shkak të strukturës së tij që duket paksa si një kurorë. Ka disa lloje të ndryshme të koronavirusëve. Dimë se ato mund të shkaktojnë shumë infeksione të zakonshme që nga sëmundje të frymëmarrjes e deri tek infeksione që shfaqen si skuqje në gojë, në duar dhe këmbë. Por dimë gjithashtu se këto viruse mund të shkaktojnë sëmundje më të rënda, si SARS që ishte një shqetësim rreth 10-20 vjet më parë”, thotë specialistja.

Virusi i zbuluar së pari në qytetin kinez Uhan është një lloj i ri i cili nuk dihej të prekte njerëzit më parë.

Disa koronaviruse mund të transmetohen mes kafshëve dhe njerëzve. Disa koronaviruse të njohura qarkullojnë tek kafshët por nuk kanë infektuar ende njerëz. Por viruse të reja zbulohen në të gjithë botën gjatë gjithë kohës.

"Sapo virusi hyn në trup, ai përpiqet të pushtojë qeliza të caktuara, dhe e bën këtë pasi duhet të përdorë proteina brenda qelizave tona për të bërë më shumë kopje të vetvetes. Ne e quajmë këtë shumëzim dhe më pas virusi mund të përhapet në të gjithë trupin. Pra qëllimi i virusit është të mbijetojë dhe të krijojë më shumë kopje të vetvetes. Por trupi ynë do të përgjigjet në përpjekjen për të vrarë virusin. Kur e bën këtë, trupi ynë prodhon kimikate të caktuara në sistemin imunitar për ta mbytur virusin dhe qelizat e tjera dhe ky veprim, në të vërtetë, na bën të ndjehemi të sëmurë. Janë kimikatet që prodhojmë për të luftuar virusin ato që na japin ato ndjenja të etheve, temperatures së lartë ose dhimbjeve muskulore", thotë zonja MacDermott.

Virusi i ri besohet ta ketë origjinën nga një treg prodhimesh deti, ku shiteshin gjithashtu zvarranikë, megjithëse shkencëtarët thonë se nuk ka gjasa ta ketë origjinën nga zvarranikët.

Informacioni nga Uhani sugjerojnë se shumica e rasteve deri tani në Kinë nuk janë ekstreme.

Mjekët thonë se disa raste kanë qenë të rënda dhe kanë përfunduar në vdekje, por ata nuk e dinë saktësisht se sa njerëz janë infektuar, kështu që nuk është e mundur të gjykojnë nëse virusi i ri është shumë ngjitës apo i rëndë.

Njerëzit me probleme shëndetësore të vazhdueshme ka të ngjarë të jenë më të prekshëm, siç janë fëmijët dhe të moshuarit.

Virusi aktual nuk është identifikuar më parë tek njerëzit.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme Geng Shuang konfirmoi se Kina do të marrë pjesë në bisedimet urgjente për koronavirusin që drejtohen nga Kombet e Bashkuara të mërkurën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG