Lidhje

Pompeo: Do vizitoj Ukrainën së shpejti


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se së shpejti do të niset drejt Ukrainës, por pa dhënë asnjë datë mbi vizitën e tij të planifikuar në këtë vend me rëndësi në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Presidentit Donald Trump në Senat.

"Do të shkoj në Ukrainë së shpejti" tha zoti Pompeo gjatë një interviste për kompaninë mediatike Bloomberg gjatë vizitës në Kingston të Xhamajkës.

Komentet e tij vijnë ndërsa në Senat po mbahen deklaratat e hapjes nga një grup anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve. Senati i udhëhequr nga republikanët duhet të vendosë nëse do të largojë ose jo nga detyra Presidentin Trump, ndaj të cilit muajin e kaluar Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët ngriti akuzat për abuzim me detyrën dhe pengim të hetimeve të Kongresit.

Demokratët e kanë akuzuar zotin Trump se ka ushtruar presion ndaj autoriteteve në Ukrainë për të nisur një hetim ndaj ish-Nënpresidentit demokrat Joe Biden, një rival politik i tij si dhe pengim të hetimit që po kryente Kongresi mbi këtë çështje.

Në fillim të këtij muaji zoti Pompeo shtyu një udhëtim të planifikuar për në Ukrainë, i cili kishte për qëllim të ripohonte mbështetjen amerikane për këtë vend, për t’u përqëndruar tek situata në Irak pasi demonstrues sulmuan ambasadën amerikane atje.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Ukrainën në përpjekjet e saj ndaj rebelëve të mbështetur nga Rusia si dhe për të rimarrë Krimenë e pushtuar nga Moska në vitin 2014.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG