Lidhje

Vijojnë hetimet pas sasi së madhe të kokainës të kapur në Greqi


Policia greke ka publikuar pamjet filmike të një operacioni kundër drogës ndërsa në Greqi, Shqipëri e Spanjë vijojnë hetimet pas arrestimit të 8 anëtarëve të një organizate kriminale që trafikonte drogë si dhe sekuestrimit të një sasie prej rreth 1.2 tonë kokainë.

Autoritetet policore greke thanë se organizata kriminale dyshohet se transportonte sasi të konsiderueshme kokaine nga Karaibet në vendet e Evropës dhe në pjesën veri-perëndimore të Afrikës. Por sipas tyre të paktën nëntë persona të tjerë janë në kërkim. Sasia e madhe e kokainës u bllokua në zonën bregdetare të Mesologjit dhe dyshohet se kishte hyrë në një port privat të zonës me anije turistike të nisura nga Republika Domenikane. Policia shqiptare tha të dielën se ishte pjesë e këtij operacioni të madh ndërkombëtar kundër krimit të organizuar në fushën e narkotikëve. Në një deklaratë zyrtare të policisë shqiptare thuej se ajo “pati rol të rëndësishëm e të drejtpërdrejtë me hetime proaktive në operacionin e madh antidrogë, që u zhvillua në Greqi”. Policia shqiptare tha se “ka kontribuar në identifikimin e personave të organizatës, roleve te tyre individuale dhe në mënyrën e funksionimit të organizatës kriminale, gjë që mundësoi të identifikohet dhe konstatohet plotësisht përbërja dhe veprimtaria e saj”.

Drejtori i Sigurisë së Atikës Petros Jeferis tha të shtunën për gazetarët se operacioni u krye në bashkëpunim me zyrën e DEA-s amerikane në Athinë, autoritetet e policisë shqiptare dhe ato spanjolle. Policia greke ka publikuar emrat e 6 prej 8 të arrestuarve të cilët janë shqiptarë: Ergon Tusi, Sandër Pema, Arbër Përdeda, Erlin Zotaj, Lek Doda dhe Maksim Preçi. Ndërkohë u njoftua se pjesë e organizatës janë edhe shtetas të tjerë nga disa vende. Vlera e kokainës së sekuestruar arrin në mbi 60 milionë dollarë, ndërkohë që është bllokuar edhe një sasi parash, 3 pistoleta, 1 kallashnikov, 5 autovetura dhe 19 celularë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG