Lidhje

Ambasadorja Kim thekson mbështetjen e SHBA ndaj Shqipërisë


Në Shqipëri, ambasadorja e re amerikane Yuri Kim tha sot se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë Shqipërinë si një aleatet e partnere të vërtetë dhe se ato janë të përkushtuara të mbështesin të ardhmen e vendit. Ajo vuri theksin te zbatimi i Reformës në Drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, çështje për të cilat shpjegoi se do të punojë me udhëheqësit shqiptarë.

Ambasadorja Kim thekson mbështetjen e SHBA ndaj Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Ambasadorja amerikane Yuri Kim i paraqiti sot letrat kredenciale presidentit shqiptar Ilir Meta. Pak orë më pas, ajo ju drejtua shqiptarëve me një mesazh ku vuri theksin te marrëdhëniet e veçanta mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. “Pak miq e kanë përqafuar Amerikën më me ngrohtësi, pak aleat kanë qenë më besnikë dhe pak partner kanë gatishmërinë dhe vullnetin për të bërë më shumë me SHBA-të se sa Shqipëria”, deklaroi ajo.

Ambasadorja amerikane i mëshoi përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Shqipërinë. “Sot ne qëndrojmë me ju jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe sovranitetit por dhe në mbështetje të të së ardhmes së Shqipërisë. E dimë se ka punë të vështira përpara, por dimë se dhe puna më e vështirë bëhet më e lehtë kur ke miq e aleat përkrah teje SHBA-të janë të përkushtuara ta ndihmojnë Shqipërinë të bëhet një aleate dhe më e fortë e më e aftë. SHBA-të janë të përkushtuara ta ndihmojnë Shqipërinë të forcojnë kandidaturën e saj për në BE. Ne do të vazhdojmë të mbështesim aspiratën e palëkundur të popullit shqiptar për liri, drejtësi dhe një sistem ku secili duhet të respektojë të njejtat rregulla”.

Ambasadorja amerikane vuri theksin gjithashtu te Reforma në Drejtësi dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, “Pres me kënaqësi të punoj me udhëheqësit shqiptarë ndërsa ata ndërmarrin hapa të vështirë, por absolutisht të nevojshëm për të zbatuar Reformën në Drejtësi, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të larguar korrupsionin nga sistemi shqiptar.Jam besimplotë se teksa drejtësia dhe integriteti të hedhin rrënjë në Shqipëri, më shumë investitorë do tërhiqen drejt Shqipërisë, në mënyrë që të mund të krijojnë më shumë vende pune dhe mundësi si për amerikanët dhe për shqiptarët”.

Ambasadorja Kim kujtoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhanë për Shqipërinë që në fillim-shekullin e kaluar kur “presidenti Uillson ngriti zërin për Shqipërinë, kur askush nuk e bëri. Kur nuk lejoi fuqitë e mëdha të ndanin Shqipërinë në konferencën e Paqes në Paris”. Zonja Kim, nënvizoi se as komunizimi nuk mundi të ndante të dy popujt. “Ne qëndruam të lidhur dhe folëm me njëri tjetrin përmes Zërit të Amerikës, i cili jo vetëm transmetonte lajme por dhe shkëndija shprese. Këto shkëndija të shpresës ndezën shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991 ndërsa u çliruat nga vargonjtë e diktaturës dhe të komunizmit”.

Për të forcuar dhe më tej mesazhin e mbështetjes ndaj Shqipërisë, ambasadorja zgjodhi të mbyllte fjalën e saj duke folur në shqip, kur tha se “Ne jemi ende me ju krah për krah”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG