Lidhje

Presidenti Trump publikon planin për paqen izraelito-palestineze


Presidenti Donald Trump shpalli të martën planin e tij për të zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez, gati gjashtë vjet pasi u ndërprenë bisedimet mes dy palëve.

Plani kërkon krijimin e një shteti palestinez, një çështje kyçe për udhëheqësit palestinezë të cilët prej kohësh kërkojnë një "zgjidhje me dy shtete" të konfliktit.

"Ky është një zhvillim i paparë dhe domethënës," tha presidenti Trump të martën në Shtëpinë e Bardhë.

Ende nuk janë dhënë hollësi të tjera, por zyrtarët e administratës Trump thonë se plani e rrit shumë territorin e kontrolluar nga palestinezët, megjithëse njeh gjithashtu sovranitetin e Izraelit mbi vendbanime të mëdha në Bregun Perëndimor, një propozim që pothuajse me siguri do të sjellë kundërshtim nga palestinezët.

Ngjarja e organizuar në Shtëpinë e Bardhë ishte simbolikë e gjendjes së marrëdhënieve midis të tre palëve. Netanyahu u shfaq përkrah Presidentit Trump ndërkohë që krerët palestinezë thanë se ata nuk ishin ftuar.

Përpara publikimit të planit, presidenti Trump u takua me kryeministrin Netanyahu dhe minimizoi shqetësimet e palestinezëve, të cilët kanë hedhur poshtë qasjen e udhëheqësit amerikan dhe ato që ata thonë se janë politikat e tij pro-izraelite.

Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh tha se plani i zotit Trump nuk ishte më shumë se një mënyrë për të "mbyllur çështjen palestineze".

Pasi presidenti Trump u takua të hënën veçmas me zotin Netanyahu dhe rivalin e tij politik Benny Gantz, Netanyahu tha se ekziston një shans për të "bërë histori dhe për të përcaktuar kufijtë e Izraelit". Ai gjithashtu vlerësoi presidentin Trump për forcimin e aleancës amerikano-izraelite "më shumë se kurrë më parë".

Zoti Gantz e quajti marrëveshjen e paqes "një moment historik të rëndësishëm" dhe tha se mezi pret ta zbatojë atë nëse bëhet kryeministri i ardhshëm i Izraelit pas zgjedhjeve në mars.

Administrata Trump ka punuar për një plan të paqes që kur mori detyrën në vitin 2017. Ai thotë se e vonoi shpalljen e tij për shkak të asaj që ai e quajti pasiguri politike në Izrael.

Por palestinezët nuk kanë pranuar të punojnë me Shtetet e Bashkuara, duke zbehur planin e paqes edhe para se ai të bëhej publik. Palestinezët janë të zemëruar me presidentin Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit dhe lëvizjen atje të ambasadës amerikane. Palestinezët duan Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm.

Ata janë gjithashtu të zemëruar me deklaratën e fundit të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo se vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor janë të ligjshme, dhe vendimin e administratës Trump për të ulur ndihmën humanitare për palestinezët.

Shtetet e Bashkuara publikuan pjesën ekonomike të planit të paqes vitin e kaluar. Ai parashikon 50 miliardë dollarë investime ndërkombëtare në territoret palestineze dhe zonat arabe fqinje.

Palestinezët thonë se janë fyer që disa njerëz besojnë se thjesht mund t’u ofrojnë para pa folur për një zgjidhje me dy shtete.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG