Lidhje

Roja bregdetare shpëton 18 migrantë , arrestohet skafisti nga Vlora


Roja bregdetare shqiptare dhe ajo italiane shpëtuan mëngjesin e së shtunës 18 migrantë dhe një skafist që lëshuan sinjalin e ndihmës prej motit të keq në det të hapur.

Burime vendore policore njoftuan ankorimin e gomones së vogël nga zona e Divjakës në Portin e Durrësit, ndërkohë që migrantët kanë marrë ndihmën e parë dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Mes migranëtve disa ishin gra dhe një fëmijë, thanë burimet policore.

Policia e shtetit nuk ka dhënë ende informacion zyrtar për ngarjen, por nga burimet policore mësohet se skafisti i ndaluar është Renato Cenko nga Vlora,qyteti ku dyshohet se është nisur edhe gomonia me migrantët e parregullt. Destinacioni i mjetit lundrues nga hetimet paraprake policore shqiptare rezulton të ishte Italia.

Sipas hetimeve paraprake problemet e motit të keq me det të trazuar dhe kapaciteti i vogël i gomones e kanë detyruar skafistin të kërkojë ndihmë. Dy ditë më parë policia shqiptare ndaloi një nga dy gomonet e nisura nga Greqia fqinje në drejtim të brigjeve shqiptare në një operacion të përbashkët me rojen europiane të kufijve “Frontex” dhe rojën bregdetare italiane.

Gomonet ishin zbuluar nga një avioni i Frontex-it që kryente ndjekjen nga ajri, me qëllim bllokimin e mjeteve të lundrimin dhe kapjen e autorëve që drejtonin gomonet. Por, sipas policisë shqiptare, gjatë ndjekjes, një mjet lundrues ka arritur të kthehet sërish në ujërat greke. Mjeti i bllokuar në brigjet shqiptare kishte 3 motorë të fuqishëm. Policia tha se duke përfituar nga kushtet atmosferike dhe errësira e natës mjeti i lundrimit është braktisur nga ekuipazhi, pranë vendit të quajtur “Plazhi i Vjetër” në Vlorë. Policia tha se në bordet e gomoneve nuk janë konstatuar sende të tjera, përveç bidonëve me karburant.

Vlora po rikthehet në shënjestër të trafikantëve jo vetëm të lëndëve narkotike, por së fundi edhe të qënieve njerëzore. Bllokimi i grupeve me refugjatë në këtë zonë fillimin e këtij viti ka ngjallur dyshimet e policisë për tendenca të organizimit të trafikut të refugjatëve me mjete lundrimi drejt Italisë. Refugjatët hyjnë në territorin shqiptar nga kufiri grek dhe synojnë ta përdorin Shipërinë si një pikë të përkohshme për të kaluar drejt vendeve europiane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG