Lidhje

Në prag të ndeshjes së Superbollit amerikan, shtohen masat e sigurisë


Të dielën mbrëma në Majami të Floridës zhvillohet Superbolli i 54, ndeshja finale e kampionatit të futbollit amerikan. Mijëra tifozë kanë filluar të mblidhen në hotelet dhe restaurantet e Majamit që të premten për të qenë pjesë e ngjarjes më të rëndësishme sportive në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë janë shtuar edhe masat e sigurisë rreth stadiumit, ku do të zhvillohet ndeshja.

Një numër i madh tifozësh të futbollit amerikan ndodhen në Majami, për finalen e madhe të superbollit.

Për mbarëvajtjen e kësaj ngjarje, po kujdesen mijëra policë që patrullojnë tokën, detin dhe qiellin.

Zyrtarët e Policisë në Majami thonë se do të reagojnë ndaj çdo dyshimi.

“Agjenci lokale, shtetërore dhe federale po bashkëpunojnë. Nëse vëreni diçka të pazakontë, njoftoni menjëherë policinë. Kemi qindra policë në uniformë dhe me rroba civile”, tha Kenya Fallat, zëdhënëse nga Departamenti i Policisë në Majami.

Pjesëmarrja e sektorit privat luan poashtu rol të rëndësishëm.

Menaxhmenti i kompanisë Uber trajnoi më shumë se 100 mijë shoferë që të identifikojnë rastet kur dikush është viktimë e krimit, gjatë kohës sa janë në makinë.

“Do të kemi shumë kërkesa për udhëtime me taksi gjatë fundjavës. Shoferët janë sytë dhe veshët tanë në rrugë, dhe janë trajnuar për raportimin e rasteve të trafikimit tek organet kompentente”, tha Javier Correoso, zëdhënës i kompanisë Uber.

Sipas zëdhënësit të kompanisë Uber, seancat trajnuese për shoferët u zhvilluan në zonat ku pritet të festohet më shumë.

“Policët në det do të përdorin mjete të ndryshme, ndërsa ata në tokë do të lëvizin me biçikleta dhe kuaj, derisa të përfundojë ndeshja e madhe”, tha Kenya Fallat, zëdhënëse e departamentit të policisë në Majami.

Policia në Majami nuk publikoi numrin e saktë të agjentëve që do të patrullojnë në ngjarjen më të rëndësishme sportive në Shtetet e Bashkuara. Por thonë se do të përdoren edhe kamera me rreze infra të kuqe, përmes të cilave mund të identifikohen njerëzit nga helikopteri.

Në ndeshjen finale të kampionatit amerikan të futbollit të dielën mbrëma luajnë ekipet “San Francisko 49ers” dhe “Kansas City chiefs”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG