Lidhje

E ardhmja e Britanisë pas largimit nga BE-ja


Bisedimet zyrtare ende nuk kanë filluar mbi marrëdhëniet e tyre në të ardhmen - por tensionet po shtohen mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian, pas largimit zyrtar të Britanisë të premten. Brukseli thotë se Britania do të duhet të angazhohet për ruajtjen e standarteve të BE-së në mënyrë që të marrë një marrëveshje të tregtisë së lirë, por Londra ka këmbëngulur se nuk do ta bëjë këtë gjë. Siç raporton Henry Ridgwell, bisedimet zyrtare nuk do të fillojnë për të paktën një muaj tjetër, duke lënë pak kohë të çmuar për të negociuar një marrëveshje të re.

Në një ditë të kthjellët, Shkëmbinjtë e Bardhë të Doverit mund t’i shikosh që nga Franca. Gjeografia nuk ka ndryshuar. Por në shumë kuptime, distanca midis Britanisë dhe fqinjëve të saj kontinentalë u zgjerua të premten brenda natës. Britania tani është jashtë Bashkimit Evropian, por pas tre vjet e gjysmë kaosi politik, shumë britanikë duket se janë të lodhur nga Brexit.

"Nuk do të gënjej. Nuk doja largimin. Kam votuar që të qëndronim, por ne jemi aty ku jemi. Thjesht shpresoj të mos ketë pasoja shkatërrimtare", thotë Lindsey Wheeler, punonjëse banke.

Imazhet e një ore që numëronte minutat deri në momentin e Brexit-it shfaqeshin mbi shkëmbinjtë Dover natën e së premtes - dhe gjithashtu mbi rezidencën e Kryeministrit Boris Johnson, në adresën 10 Downing Street. Përkrahësit e Brexit-it organizuan festime në Londrën qendrore.

"Ne duhet të festojmë faktin që, të çliruar nga kufizimet e Bashkimit Evropian, edhe një herë do të jemi në gjendje të gjejmë vendin tonë në botë ", tha Nigel Farage, drejtues i Partisë Brexit.

Gjetja e këtij vendi mund të mos jetë aq e thjeshtë. Britania tani është në një periudhë tranzicioni dhe i ka dhënë vetëm 11 muaj për të negociuar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Evropën. Kjo do të marrë fund në dhjetor - kur afrohet një Brexit i ri shumë më i ashpër.

"Shumë njerëz besojnë se për Brexit-in janë bërë tre vjet e gjysmë debate, dhe se gjithçka është bërë pra e qartë. Nuk është fare e tillë. Në fakt, dimensionet aktuale të marrëdhënies së re midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së sapo po fillojnë", thotë Charles Ries, Nënkryetari Ndërkombëtar i “RAND Corporation”.

Treguesit e hershëm sugjerojnë se Evropa do të kërkojë qasje në ujërat britanike të peshkimit, si dhe garanci se Britania nuk do të ulë standardet e punës dhe mjedisit të BE-së, në këmbim të qasjes në tregun e bashkuar të BE-së. Britania ka përjashtuar një përafrim të tillë të ngushtë.

"Ne nuk do të kemi një përafrim të ngushtë me BE-në, një përafrim legjislativ me rregullat e tyre. Por, ne do të dëshirojmë bashkëpunimin dhe presim që BE-ja të përmbushë angazhimet për një marrëveshje të tregtisë së lirë në stilin e Kanadasë", thotë Dominic Raab, Sekretari i Jashtëm britanik.

Por, kjo linjë e ashpër po e vendos vetë Britaninë nën një presion gjithnjë e më të madh - me Skocinë që kërkon një votim për pavarësinë, në mënyrë që të mund të përpiqet të ri-anëtarësohet në BE.

Dhe në të gjithë Britaninë, ndasitë e shkaktuara nga Brexit nuk do të shërohen lehtësisht.

Shkëmbinjtë e bardhë të Doverit janë bërë një kanavacë për mesazhe pro dhe anti-BE – që i shfaqen kontinentit evropian. Tensionet tashmë po ndërtohen me atë që duket se do të jetë një vit i stuhishëm përpara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG