Lidhje

ShBA, Akuza ndaj Kinës për pirateri


Equifax
Equifax

Zyrtarët e SHBA ngritën akuza ndaj katër pjesëtarë të ushtrisë kineze për hakerimin e rrjeteve kompjuterike të gjigantit të vlerësimit të kreditit Equifax dhe vjedhjen e sekreteve tregtare të kompanisë si dhe të të dhënave personale të gati gjysmës së amerikanëve.

Piratimi në vitin 2017 i të dhënave të kompanisë Equifax, një nga më të mëdhatë e këtij lloji në histori, rezultoi në vjedhjen e emrave, datëlindjeve dhe numrave të sigurimeve shoqërore të rreth 150 milion amerikanëve si dhe targat e të paktën 10 milionëve prej tyre.

"Përmasat e vjedhjes ishin befasuese," tha Prokurori i Përgjithshëm i SHBA William Barr në një konferencë për shtyp. "Kjo vjedhje jo vetëm që shkaktoi dëme të konsiderueshme financiare për firmën Equifax, por cenoi privatësinë e shumë miliona amerikanëve, duke u kthyer në kosto të konsiderueshme për ta, pasi duhej të merrnin masa për t’u mbrojtur kundër vjedhjes së identitetit."

Departamenti i Drejtësisë zakonisht nuk ngre akuza penale kundër anëtarëve të shërbimeve ushtarake ose inteligjente të një vendi të huaj. Kjo është hera e dytë që prokurorët federale akuzojnë anëtarë të ushtrisë kineze, dhe vjen në klimën e shqetësimeve të rritura të SHBA për spiunazhin ekonomik kinez dhe vjedhjen e pronës intelektuale.

"Sot, ne i mbajmë hakeruesit e ushtrisë kineze përgjegjës për veprimet e tyre kriminale, dhe i kujtojmë qeverisë kineze se kemi aftësinë t’u heqim mantelin e anonimitetit dhe të gjejmë hakerat që Kina përdor vazhdimisht kundër nesh," tha zoti Barr.

Në vitin 2014, Departamenti i Drejtësisë paditi pesë anëtarë të spiunazhit kibernetik të ushtrisë kineze për vjedhje të informacionit konfidencial nga kompani amerikane dhe nga një organizatë tregtare.

FBI-ja po kryen rreth 1.000 hetime për vjedhjen e dyshuar kineze të pronës intelektuale amerikane. Pritet që shumë nga këto hetime të rezultojë në akuza penale kundër individëve dhe bizneseve gjatë këtij viti, thanë zyrtarët amerikanë javën e kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG